Pas humbjes së radhës, këtë herë nga KB Bora, ka reaguar ashpër mbështetësi kryesor me financa i KB Golden Eagle Ylli, Shaqir Palushi, duke shprehur publikisht zhgënjimin e tij për paraqitjet e fundit të skuadrës.
Palushi, i cili prej më shumë se një dekade është i lidhur ngushtë me klubin nga Suhareka, theksoi se rezultatet aktuale nuk janë në përputhje me investimet dhe pritshmëritë.
“Ky është ekipi me një nga buxhetet më të larta në Superligë, por me rezultate pothuajse ndër më të dobëtat. Kjo nuk përfaqëson potencialin e skuadrës, e aq më pak në 50-vjetorin e klubit”, është shprehur ai.
Kreu i bordit ka kritikuar jo vetëm lojtarët, por edhe shtabin teknik, duke lënë të kuptohet se durimi ka arritur në limit.
“Nëse nuk ka vullnet për lojë dhe sukses, atëherë duhet të ketë vullnet për të liruar vendin për ata që janë të gatshëm të japin gjithçka për këtë fanellë. Nuk mund të tolerohet më zhgënjimi i tifozëve dhe sponsorëve që për vite me radhë kanë kontribuar për klubin”, theksoi Palushi.
Ai shtoi se Suhareka dhe tifozët “Xhebrailat” meritojnë më shumë nga skuadra, duke paralajmëruar se ditët në vijim priten diskutime dhe vendime konkrete brenda klubit.
Reagimi vjen në një moment delikat për Yllin, që pavarësisht investimeve dhe pritshmërive të mëdha këtë sezon, po përballet me rezultate zhgënjyese në parket. /AsistiOnline.com/



