Federata e Basketbollit e Kosovës ka dënuar në mënyrën më të ashpër sulmin fizik të ushtruar ndaj gjyqtarit Erzen Haxhani gjatë ndeshjes së zhvilluar mbrëmë në kuadër të Superligës së Kosovës ndërmjet KB Vëllaznimi dhe KB Sigal Prishtina, në palestrën Palestra Shani Nushi në Gjakovë.
Sipas reagimit zyrtar të Federatës, sulmi i kryer nga zyrtari i KB Vëllaznimi, Jeton Bakalli, përbën akt të rëndë dhune, të patolerueshëm dhe thellësisht të papranueshëm për sportin dhe për çdo standard të sjelljes institucionale. Federata ka vlerësuar se ky veprim përfaqëson shkelje serioze të rendit sportiv, cenim të drejtpërdrejtë të integritetit të garës dhe sulm ndaj autoritetit të sistemit të drejtësisë sportive.
Federata ka theksuar se zbaton politikë të qartë dhe absolute të tolerancës zero ndaj çdo forme dhune ndaj zyrtarëve të ndeshjes, duke nënvizuar se siguria fizike, dinjiteti dhe autoriteti i gjyqtarëve janë të panegociueshme.
Po ashtu, është shprehur mbështetje e plotë dhe e pakushtëzuar për Shoqatën e Gjyqtarëve të Basketbollit të Kosovës dhe për të gjithë gjyqtarët, të cilët konsiderohen garantues të rregullit dhe drejtësisë në gara. Sipas Federatës, çdo sulm ndaj tyre është sulm ndaj vetë basketbollit të Kosovës.
Në reagim është bërë e ditur se rasti do të trajtohet me seriozitet maksimal dhe se do të ndërmerren masa disiplinore të rrepta, në përputhje me rregulloret në fuqi, ndaj çdo individi apo subjekti që mban përgjegjësi për incidentin.
Federata ka kërkuar përgjegjësi të plotë institucionale nga klubet për sjelljen e zyrtarëve dhe përfaqësuesve të tyre, duke theksuar se organizimi i garave nuk mund të zhvillohet në kushte ku siguria e zyrtarëve vihet në rrezik.
Në fund, është ritheksuar qëndrimi se kush ushtron dhunë nuk ka vend në basketbollin e Kosovës dhe se mbrojtja e integritetit të garave dhe autoritetit të gjyqtarëve mbetet prioritet. /AsistiOnline.com/



