Shoqata e Gjyqtarëve të Basketbollit të Kosovës ka reaguar sot zyrtarisht nëpërmjet një komunikate zyrtare, lidhur me incidentin e ndodhur mbrëmë në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë, ku gjatë ndeshjes nga xhiro e 20-të e Superligës së meshkujve, Vëllaznimi – Prishtina, për një moment është sulmuar gjyqtari Erzen Haxhani.
Në reagimin e saj, SHGJFBK e cilëson sulmin si një akt të turpshëm, të papranueshëm dhe një njollë të zezë për basketbollin kosovar.
Sipas tyre, dhuna ndaj zyrtarëve të ndeshjes nuk mund të justifikohet si “emocion loje”, por përbën akt kriminal që duhet trajtuar si i tillë.
“Askush nuk ka të drejtë të cenojë integritetin fizik apo dinjitetin e një gjyqtari për shkak të një vendimi në parket. Gjyqtarët janë garantues të rregullit dhe drejtësisë në lojë, dhe çdo sulm ndaj tyre është sulm direkt ndaj vetë basketbollit”, thuhet fillimisht në reagim.
Shoqata shpreh shqetësim të thellë për faktin se, sipas saj, incidentet nuk po vijnë nga shikuesit, por nga vetë anëtarë dhe përfaqësues të klubeve, të cilët duhet të jenë shembull i korrektësisë, respektit dhe fair-play-it. Sipas tyre, kur dhuna buron nga ata që kanë përgjegjësi direkte në organizimin dhe mbarëvajtjen e garës, dëmi për sportin është edhe më i madh.
Në reagim kërkohet veprim i menjëhershëm dhe masa të rrepta nga organet kompetente dhe nga Federata e Basketbollit e Kosovës. Shoqata thekson se heshtja ose dënimet simbolike vetëm sa e inkurajojnë përsëritjen e rasteve të tilla, ndërsa pret që vendimet disiplinore të jenë proporcionale me peshën e incidentit dhe të dërgojnë mesazh të qartë se dhuna nuk tolerohet.
Po ashtu, paralajmërohet se në rast se dënimet mbeten vetëm simbolike dhe situata të tilla vazhdojnë të përsëriten, Shoqata e Gjyqtarëve do të shqyrtojë hapa të mëtejmë institucionalë dhe më rigorozë, me qëllim mbrojtjen e integritetit, sigurisë dhe dinjitetit të gjyqtarëve.
Duke theksuar se nuk është hera e parë që incidente të tilla ndodhin në Gjakovë, Shoqata bën të ditur se po e shqyrton seriozisht mundësinë që të mos pranojë delegimin e gjyqtarëve për ndeshje në këtë qytet. Sipas reagimit, pas sulmeve, ofendimeve, shantazheve dhe kërcënimeve të vazhdueshme, gjyqtarët nuk ndihen të sigurt gjatë zhvillimit të ndeshjeve, ndërsa siguria konsiderohet minimum i domosdoshëm për ushtrimin e profesionit.
“Nëse nuk ka siguri për zyrtarët e ndeshjes, nuk ka garë të drejtë, nuk ka kampionat të rregullt dhe nuk ka sport. Ky është moment reflektimi dhe veprimi. Çdo tolerim i dhunës është bashkëfajësi”, përfundon reagimi i Shoqatës së Gjyqtarëve të Basketbollit të Kosovës.
Reagimi i plotë dhe pa ndërhyrje i SHGJFBK-së:
Sulmi ndaj gjyqtarit të basketbollit është një akt i turpshëm, i papranueshëm dhe një njollë e zezë për sportin tonë. Dhuna ndaj zyrtarëve të ndeshjes nuk është “emocion loje”, por është kriminale dhe duhet trajtuar si e tillë.
Askush nuk ka të drejtë të cenojë integritetin fizik apo dinjitetin e një gjyqtari për shkak të një vendimi në parket. Gjyqtarët janë garantues të rregullit dhe drejtësisë në lojë, dhe çdo sulm ndaj tyre është sulm direkt ndaj vetë basketbollit.
Është jashtëzakonisht shqetësuese dhe thellësisht trishtuese që sulmet ndaj zyrtarëve nuk po vijnë nga shikuesit, por nga vetë anëtarët dhe përfaqësuesit e klubeve, të cilët duhet të jenë shembull i korrektësisë, respektit dhe fair-play-it. Kur dhuna buron nga ata që kanë përgjegjësi direkte në organizimin dhe mbarëvajtjen e garës, dëmi që i bëhet sportit është edhe më i madh.
Kërkojmë reagim të menjëhershëm dhe masa të rrepta nga organet kompetente dhe nga Federata e Basketbollit e Kosovës. Heshtja ose dënimet simbolike vetëm sa e inkurajojnë përsëritjen e rasteve të tilla. Presim që vendimet dhe masat disiplinore të jenë proporcionale me peshën e incidentit dhe të dërgojnë mesazh të qartë se dhuna nuk tolerohet.
Në rast se dënimet mbeten vetëm simbolike dhe situata të tilla vazhdojnë të përsëriten, Shoqata e Gjyqtarëve do të jetë e detyruar të shqyrtojë hapa të mëtejmë institucionalë dhe më rigorozë, gjithmonë në funksion të mbrojtjes së integritetit, sigurisë dhe dinjitetit të gjyqtarëve.
Duke qenë se nuk është hera e parë që incidente të tilla ndodhin në Gjakovë, ne si Shoqata e Gjyqtarëve jemi duke e shqyrtuar seriozisht mundësinë që të mos pranojmë të delegohemi për gjykimin e ndeshjeve në Gjakovë. Pas sulmeve, ofendimeve, shantazheve dhe kërcënimeve të vazhdueshme, nuk ndihemi të sigurt gjatë zhvillimit të këtyre ndeshjeve. Siguria është minimumi i domosdoshëm për ushtrimin e profesionit tonë.
Ky është moment reflektimi dhe veprimi.



