Përfaqësuesja e Kosovës këtë të premte të 27 shkurtit luan në Prizren ndaj Sllovakisë në parakualifikimet për EuroBasket 2029.
Ekipi sllovak tashmë ka prezantuar listën e lojtarëve me të cilët udhëton në Kosovë.
Në rosterin e sllovakëve bije në sy natyralizimi i ri për ekipin David DeJulius, pllejmejkeri amerikan i cili aktualisht luan me ekipin e famshëm spanjoll Murcia.
“Kjo nuk është e përkohshme. Është një angazhim afatgjatë. Kur Sllovakisë i duhem, unë do t’i jap të gjitha,” citohet të ketë thënë përfaqësuesi i ri i sllovakëve në takimin e parë me bashkëlojtarët.
DeJulius është lojtari kryesor i ekipit spanjoll me mesatare prej 15.2 pikëve, 3.3 asiste e 1.5 kërcime. Lojtari luan me Murcian edhe në FIBA Europe Cup.
Në Spanjë, Murcia gjendet aktualisht e 3-ta, madje para Barcelonës në tabelë. Ndërsa në FIBA Europe Cup gjendet e para në grup në fazën e dytë dhe është favorite atje për ta fituar këtë trofe.
Vlen të ceket se para Murcias, lojtari në fjalë ka karrierë edhe në Euroligë me Maccabi Tel Avivin, me Arisin dhe Lavrion në Greqi, me Gottingenin në Gjermani dhe me Bursasporin në Turqi.
Pra, kemi të bëjmë me një lojtar cilësor të analizuar mirë nga sllovakët para natyralizimit. Nga ky lojtar Kosova rrezikohet mjaftë shumë, për çka urojmë dhe besojmë të ketë përgjigje nga lojtarët tanë, sidomos në mbrojtje. /AsistiOnline.com/



