Përfaqësuesja e Kosovës A, është mposhtur nga Sllovakia me shifrat 89:78, në ndeshjen e vlefshme për parakualifikimet e EuroBasket 2029.
Takimi u zhvillua në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren, në një atmosferë të mirë, por që në fund i buzëqeshi mysafirëve.
Dueli nisi më mirë për vendasit, të cilët e mbyllën çerekun e parë me epërsi 27:18, duke kontrolluar ritmin dhe duke gjetur zgjidhje të mira në sulm. Megjithatë, tabloja ndryshoi në periudhën e dytë. Sllovakët reaguan fuqishëm, përmbysën diferencën me një seri të gjatë pikësh dhe fituan çerekun me 15 pikë avantazh, moment që rezultoi vendimtar për rrjedhën e takimit.
Kjo ishte përballja e tretë mes këtyre dy përfaqësueseve dhe për herë të tretë Sllovakia doli fituese, duke konfirmuar pozitën e saj si skuadra më stabile në Grupin C. Të dyja ekipet kishin mposhtur më herët Shqipërinë në ndeshjet e muajit nëntor, duke e bërë këtë duel direkt për kreun e grupit.
Kosova u paraqit pa dy prej figurave kryesore, Dardan Berisha dhe Drilon Hajrizi, mungesë që u ndje veçanërisht në momentet kur loja kërkonte qetësi dhe përvojë. Pjesa më e madhe e rosterit aktivizohet në Superligën e Kosovës, ndërsa lojtari i vetëm me eksperiencë më të theksuar ndërkombëtare është amerikani i natyralizuar Divine Myles, i cili luan në ligën e dytë franceze.
Në anën tjetër, edhe Sllovakia u mbështetet madje fuqishëm në lojtar të natyralizuar amerikan, me David De Julius që po kalon formë të mirë në elitën e fuqishme të basketbollit spanjoll, duke ju dhënë sllovakëve dimension tjetër në ndeshje.
Kjo humbje Kosovës ia vështirëson pozicionin për kualifikim, pasi Sllovakia merr avantazhin me pikë, ku tash ka 2 fitore nga 2 ndeshje, Kosova ka 1 fitore e 1 humbje, derisa Shqipëria ka 2 humbje nga 2 ndeshje. /AsistiOnline.com/



