Përballja e fundit e Kosovës ndaj Sllovakisë në parakualifikimet për EuroBasket 2029 u vendos në mënyrë të qartë nga zgjedhja e mençur e mysafirëve për një natyralizim të fuqishëm.
Sllovakia ia doli të aktivizojë në skuadër një superlojtar si David De Julius, me eksperiencë deri në Euroligë dhe këtë sezon duke shkëlqyer me Murcian në kampionatin më të fortë evropian, atë të Spanjës.
Në debutimin e tij me përfaqësuesen sllovake, DeJulius tregoi potencial të jashtëzakonshëm: 26 pikë në 32 minuta, me 4/7 (57.1%) për dy pikë, 5/11 (45.5%) për treshe dhe 3/6 nga linja e lirë (50%). Ai shtoi edhe 8 asistime, 3 kërcime dhe indeks 23, duke qenë shënuesi më efektiv i ekipit dhe duke realizuar pikët më të rëndësishme në momentet vendimtare të ndeshjes.
Përveç pikëve, De Julius organizonte lojën, depërtonte, shtynte sulmet dhe motivonte skuadrën, duke i dhënë Sllovakisë një dimension që Kosova nuk mund ta neutralizonte.
Nga ana tjetër, Kosova luajti me të natyralizuarin e vet, Divine Myles, i cili realizoi 21 pikë (9/17 për dy pikë, 0/0 për treshe, 3/3 nga linja e lirë), shtoi 5 asistime dhe 4 kërcime, duke arritur indeks 21. Megjithatë, ndikimi i tij nuk mjaftoi për të barazuar dominimin e egër të De Julius.
Ky duel tregon qartë se përveç fuqisë vendore dhe kombinimit të tyre me strategji të zgjedhur për natyralizime, mund të bëhet diferenca në nivel ndërkombëtar, e pikërisht kjo dje u kthye në një avantazh të madh për Sllovakinë dhe e bëri të vështirë sfidën kthyese për Kosovën, e cila duhet të ndërtojë më shumë alternativa dhe të mbështetet edhe te detajet që i humbi në ndeshjen e parë, për të konkurruar në këto ndeshje. /AsistiOnline.com/



