Bashkimi nuk ka arritur të sfidojë sonte Trepçën.
Sonte në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren, skuadra nga Mitrovica triumfoi bindshëm me rezultat 89:71 në kuadër të xhiros së 24-t të Superligës së Kosovës në basketboll.
Me këtë fitore, Trepça tashmë ka siguruar vendin e parë para fazës së plejofit. Katër xhiro para përfundimit të sezonit të rregullt, mitrovicasit grumbullojnë 45 pikë, pesë më shumë se Bashkimi që renditet në vendin e dytë.
Trepça e kishte mposhtur tashmë Bashkimin edhe në finalen e Kupës së Kosovës, ndërsa edhe këtë herë arriti një fitore të qartë, pavarësisht mungesave të Shawn Jones dhe Akili Vining.
Skuadra nga Mitrovica kontrolloi lojën pothuajse gjatë gjithë ndeshjes, duke ruajtur epërsinë pa rrezik. Mustapha Amzil ishte lojtari më i dalluar me 23 pikë, 3 kërcime dhe 2 asistime, ndërsa Ja’cori Payne kontribuoi me 17 pikë, 5 kërcime dhe 3 asistime, dhe Mikaile Tmushiq shtoi 6 pikë, 9 kërcime dhe 4 asistime.
Te Bashkimi u dallua Dequon Lake me 16 pikë dhe 6 kërcime, ndërsa Valon Bunjaku shtoi 12 pikë dhe 8 kërcime.
Ky sukses shënon fitore e 16-të radhazi për Trepçën në Superligën e Kosovës, duke konfirmuar dominimin e tyre këtë sezon.



