Përfundimi i gjashtë xhirove në Ligën Unike, Grupi B, ka përcaktuar edhe renditjen përfundimtare që çon skuadrat drejt fazës vendimtare të garës – Final Four.
Sipas njoftimit zyrtar nga Liga Unike, në përputhje me Official Basketball Rules – Section D.1.3., renditja tabelare është kjo:
- Peja (+64)
- Golden Eagle Ylli (+1)
- Vllaznia (-30)
- Apollonia (-35)
Pavarësisht disfatës në xhiron e fundit, Golden Eagle Ylli ka arritur të sigurojë kualifikimin në Final Four, duke e mbyllur fazën në pozitën e dytë.
Në bazë të rregullores në Ligën Unike për edicionin 2025/2026, çiftet gjysmëfinale do të zhvillohen më 25 mars 2026:
- Besëlidhja – Golden Eagle Ylli
- Peja – Vëllaznimi
Ndërkohë, më 26 mars 2026 do të zhvillohen ndeshja për vendin e tretë dhe finalja e madhe, ku do të vendoset fituesi i këtij edicioni të Ligës Unike.
Orari i saktë i ndeshjeve pritet të bëhet i ditur në ditët në vijim.
Golden Eagle Ylli mbetet në garë për trofeun, duke synuar të përmbysë gjithçka në fazën përfundimtare. /AsistiOnline.com/



