Organizimi i “Final Four” të Ligës Unike në Tiranë këtë edicion, deri tani po lë hapësirë për shumë diskutime, sidomos kur bëhet fjalë për standardin që pritet nga një garë që synon të përfaqësojë më të mirën e basketbollit mbarëshqiptar.
Me gjithë respektin për basketbollin në Shqipëri dhe për njerëzit që kontribuojnë atje, ajo që po shihet në aspektin organizativ nuk është në nivelin e pritshëm për një ngjarje të tillë.
Një nga problemet më të dukshme është transmetimi televiziv, i cili në shumë raste rezulton mediokër. Kishte sonte aksione që zhvilloheshin në parket, por që nuk kapeshin si duhet nga kamera, duke e bërë të vështirë për publikun që ta ndjekë rrjedhën e lojës. Këto janë elemente bazike për një event të këtij niveli dhe nuk do duhej të ishin problem. Për më tepër, vetë organizimi në përgjithësi dukej se kishte mungesë koordinimi dhe profesionalizmi në detaje të rëndësishme.
Kur flitet për një “Final Four”, pritshmëritë janë për një standard më të lartë, si në aspektin teknik, ashtu edhe në prezantim, marketing dhe përvojën e përgjithshme për tifozët dhe shikuesit.
Në aspektin sportiv, diferencat mes klubeve u panë qartë. Ekipet nga Kosova vazhdojnë të duken në një nivel tjetër, si në përgatitje, ashtu edhe në cilësi loje. Kjo nuk është për të nënvlerësuar klubet shqiptare, por është një realitet që duhet pranuar dhe analizuar në mënyrë konstruktive, në mënyrë që gara të bëhet më konkurruese në të ardhmen.
Liga Unike mbetet një ide e mirë dhe një projekt që ka potencial për të bashkuar dhe zhvilluar basketbollin shqiptar. Megjithatë, për të arritur këtë qëllim, nevojitet më shumë seriozitet në organizim, investim në transmetim cilësor dhe një rritje graduale e standardit në të gjitha nivelet. Përndryshe, evente të tilla rrezikojnë të humbasin rëndësinë dhe besimin e publikut. /AsistiOnline.com/



