Lufta për mbijetesë në elitën e basketbollit kosovar do të vazhdojë edhe një xhiro para fundit.
Vëllaznimi dhe Rahoveci 029, po luftojnë me ‘mish e shpirt’ për të mbetur pjesë e Superligës së Kosovës.
Megjithatë, cilado nga këto dy ekipe që i ikën pozitës së fundit, do të shpëtojë edhe pa play out, kjo pasiqë sivjet nga Federata e Basketbollit të Kosovës kanë vendosur ta heqin këtë seri e cila deri në sezonin e kaluar luhej me ekipin e dytë nga Liga e parë.
Ky vendim i marrë nga strukturat e FBK-së, nuk është bërë fortë shumë publik, anipse mësohet se klubet tona janë pajtuar për një gjë të tillë. Shumica dërrmuese e publikut tash po befasohet se pse nuk do të ketë play out dhe vërehet qartë se nuk ka pasur komunikim të mirëfilltë me të gjitha palët e interesit ashtu siç proklamon Federata e Basketbollit të Kosovës në vazhdimësi.
AsistiOnline.com ka tentuar të marrë një përgjigje lidhur me këtë vendim edhe nga Komesari i Garave të FBK-së Faton Kurshumlija, duke adresuar pyetje në adresën elektronike, por deri në këto momente nuk është dhënë ndonjë përgjigje.
Mbetet të shihet se cila nga ekipet sivjet do ti shpëtojë rënies dhe cila nga ekipet do të inkuadrohet në Superligë direkt, pasi nga vendi i dytë së paku për sivjet më nuk ekziston mundësia.
/AsistiOnline.com/



