Aktualisht, në renditjen tabelore Sigal Prishtina është e gjashta me 10 fitore e 17 humbje, Vëllaznimi është i shtati me 9 fitore e 18 humbje, aq sa ka edhe Rahoveci i fundit.
Para se të hyjmë në këtë duel me karakter “të jesh apo të mos jesh”, po ju rikujtoj edhe një herë skenarët e mundshëm, ku Rahoveci me Vëllaznimin dhe Sigal Prishtinën përbëjnë trinomin që po lufton deri në fund.
KUSH BJEN, KUSH MBETET E KUSH SHKON NË PLAY-OFF?
Bazuar në rregullat e lojës së FIBA-s, propozicionet dhe pas konsultimeve me FBK-në, situata është kështu:
Skenari 1
Nëse Prishtina pëson nga Trepça, ndërsa Vëllaznimi dhe Rahoveci fitojnë, atëherë të tri skuadrat do të kenë numër identik pikësh dhe në atë rast këto tri ekipe krijojnë një grup ku shikohen katër ndeshjet e ndërsjella mes tyre dhe koshaverazhi total në fund, pra koshaverazhi më i mirë në përballjet direkte.
Kjo do të thotë se:
- Vëllaznimi ka koshaverazh më të mirë se Sigal Prishtina (+8)
- Prishtina ka koshaverazh më të mirë se Rahoveci (+18)
- Rahoveci ka koshdallim më të mirë se Vëllaznimi (+1)
Në këtë situatë:
Prishtina del e gjashta me koshaverazh total +10 (plus 18 me Rahovecin dhe minus 8 me Vëllaznimin)
Vëllaznimi del i shtati me koshaverazh +7 (minus 1 me Rahovecin dhe plus 8 me Prishtinën)
Rahoveci përfundon i teti me koshaverazh -17 (plus 1 me Vëllaznimin dhe minus 18 me Prishtinën)
Përfundimisht, me këtë skenar Prishtina shkon në Play-Off, Vëllaznimi mbijeton si i shtati, ndërsa Rahoveci bie nga Superliga.
Skenari 2
Nëse të tri skuadrat humbin, atëherë Prishtina shkon në Play-Off si e gjashta, ndërsa Rahoveci dhe Vëllaznimi do të kenë pikë të njëjta dhe në këtë rast shikohet përballja direkte mes tyre, ku Rahoveci ka 3 fitore dhe Vëllaznimi 1. Në këtë situatë, Rahoveci mbetet në Superligë, ndërsa Vëllaznimi bie.
Skenari 3
Nëse të tri skuadrat fitojnë, është skenar identik me atë kur të tri skuadrat humbin: Prishtina shkon në Play-Off si e gjashta, Rahoveci mbetet në Superligë, ndërsa Vëllaznimi bie.
Skenari 4
Nëse Vëllaznimi fiton, ndërsa Prishtina dhe Rahoveci humbin, atëherë Rahoveci bie nga liga, Prishtina është e shtata, ndërsa Vëllaznimi shkon në Play-Off pasi ka koshaverazh më të mirë se Prishtina.
Pra, adhurues të basketbollit, kombinime matematikore sa të duash, por për ta thjeshtuar: për të mbijetuar në Superligë sonte Vëllaznimit i duhet patjetër fitorja, ndërsa Rahovecit i duhet fitorja ndaj Yllit ose humbja e Vëllaznimit.
Me një fjalë, 40 minuta deri në fund të pjesës së rregullt të këtij kampionati fantastik dhe dramatik basketbollistik, punët janë llugë, ashtu si kanë qenë gjatë tërë kampionatit. Prandaj edhe e kam thënë, po e them dhe do ta përsëris vazhdimisht se kurrë deri tash, në historinë 34-vjeçare të basketbollit të pavarur kosovar, nuk kemi pasur këtë dramë dhe triler basketbollistik.
Edicioni 2025/26 i ProCredit Superligës, kampionati i 32-të i basketbollit të pavarur kosovar, ashtu si ka filluar, ashtu si është zhvilluar, ashtu edhe po përfundon.
Çka me ju thënë krejt në fund veç se ajo fjalia ime që nuk e kam thënë tash e 20 vjet:
mbështetuni prapa në rehatinë e kolltuçeve tuaja, mbushni rezervat e çipsave e kikirikëve dhe mbushni gotat përplot me shije të ndryshme dhe të mrekullueshme të Prince Caffes dhe shijoni këto kënaqësi basketbolli në Artmotion. /AsistiOnline.com/



