MIQËSORE/VËLLAZËRORE: SHQIPËRI-KOSOVË PËR 28 NËNTOR
Për nder të Ditës së Flamurit, më 28 Nëntor, do të zhvillohet miqësorja ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës në basketboll.
Ndeshja do të zhvillohet në Shkodër, të enjten nga ora 17:00.
Kosovën në këtë ndeshje do ta udhëheqë Bujar Loci, derisa ekipi do të përbëhet nga lojtarët e Superligës.
Drejtori i Përfaqësueses së Kosovës, Granit Rugova, ka thënë se bashkëpunimi ndërmjet dy federatave është i mirë dhe kjo dëshmon, edhe me zhvillimin e kësaj miqësore vëllazërore.
“Ne kemi pranuar me kënaqësi ftesën nga Federata Shqiptare e Basketbollit të zhvillojmë këtë ndeshje vëllazërore, ku rezultati është në plan të dytë. Ne gjithmonë kemi pasur bashkëpunim të mirë me Federatën Shqiptare dhe ky bashkëpunim do të thellohet edhe më shumë. Për shkak të orarit, ekipi i Kosovës do të përbëhet nga lojtarët e Superligës, derisa ndeshjen do ta udhëheqë trajneri Bujar Loci”, është shprehur Rugova për faqen zyrtare të FBK-së.
Kosova dhe Shqipëria kanë zhvilluar shumë ndeshje miqësore ndërmjet tyre, derisa së fundi u përballën në korrik të këtij viti në Prishtinë, ku në të dyja ndeshjet fituan Dardanët.
Ndërkohë, në pranverën e vitit të ardhshëm do të organizohet një turne në Kosovë, me katër skuadrat më të mira të Kosovës tek meshkujt dhe katër më të mirat të Shqipërisë, kurse në vjeshtën e ardhshme do të organizohet edhe një turne tjetër, me dy skuadrat më të mira të Kosovës dhe dy më të mirat nga Shqipëria.
Ky projekt do të jetë në kuadër të thellimit të bashkëpunimit ndërmjet Federatës së Basketbollit të Kosovës dhe Federatës Shqiptare të Basketbollit.
Komentet janë të mbyllura.