Basketboll

ASTERA TUHINA, SHEMBULLI PËR VAJZAT E REJA TË KOSOVËS

Vajzat që hezitojnë të merren me basketboll, shembullin më të mirë e kanë Astera Tuhinën. Ajo është vetëm 15-vjeçare dhe luan në Spanjë, derisa gjithashtu është pjesë e Kosovës U16 dhe U20.

Astera është një basketbolliste shumë e talentuar dhe shumë premtuese për të ardhmen. Mosha nuk e ka penguar të arrijë suksese, derisa ka shumë synime për të ardhmen.

Fillimisht ajo ka folur për sezonin e saj në Spanjë tek skuadra e Prometes. “Edicioni i kaluar ishte i mrekullueshëm, sepse skuadra ku unë luaj është renditur në mesin e 16 skuadrave më të mira në Spanjë, prej më shumë se 3000 skuadrave. Ky edicion deri më tani ka qenë shumë i mirë dhe shpresoj që si ekip të renditemi edhe më mirë se vitin e kaluar. Me paraqitjet personale jam shumë e kënaqur, mirëpo çdo ditë angazhohem më shumë dhe mundohem të kem paraqitje edhe më të mira. Këtë vit kam marrë pjesë edhe në ‘përfaqësuesen’ e Komunës ku jetoj dhe kemi pas një sukses me vitin e kaluar”, është shprehur Tuhina për faqen zyrtare të FBK-së.

Ajo ka shtuar se ëndrra e saj e madhe është të luajë në WNBA, derisa gjithashtu nuk e harron edhe shkollimin.
Ajo vitin e kaluar ishte pjesë e Kosovës U16 dhe U20, derisa me padurim po e pret verën e këtij viti për të përfaqësuar sërish Kosovën në garat ndërkombëtare. “Jam e nderuar dhe privilegjuar që luaj për Kosovën dhe shpresoj se do të kemi paraqitje sa më të mira”.

Në fund edhe mesazhi për vajzat e reja që duan të luajnë basketboll.

“Besoj se çdo njeri duhet te merret me sport, çfarëdo qoftë ai, sepse për mua sporti është diçka që më ka ndihmuar shumë të kem një jetë më të shëndetshme, të krijoj shoqëri dhe të vizitoj shumë vende. Shpresoj se edhe vajzat e reja do të merren me basketboll dhe të kenë suksese në karrierën e tyre”, përfundoi Astera Tuhina.

Komentet janë të mbyllura.