Basketboll

EKSKLUZIVE NË ASIST, MARMARINOS: BASHKIMI BËN FUQINË

"Njëri për të gjithë - të gjithë për njërin" dhe i dalim përpara Vikingëve dhe kujt do tjetër !

(ASISTIONLINE) – Në prag të fillimit të parakualifikimeve për FIBA Botërorin 2023, Federata e Basketbollit e Kosovës ka angazhuar selektorin e ri Christos Marmarinos që tashmë ka arritur në Kosovë dhe javën e kaluar ka përcjell ndeshjet e Kupës në Rahovec kurse të hënë dhe të martën ka mbajtur seancat e para stërvitore me të grumbulluarit e tij.

Marmarinos, është trajner me përvojë të gjatë 14 vjeçare në Euroleague si ndihmëstrajner në Olympiacos me të cilin u shpall 3 herë kampion i Evropës, 6 herë ishte pjesëmarrës i Final Fourit dhe po ashtu ka përvojë edhe si ndihmëstrajner në kampet verore të NBA me skuadrën San Antonio Spurs.

Një personalitet shumë interesant që ka magjistruar Fiziologjinë Aplikative në njërin prej universiteteve më të mira në botë, Columbia dhe si doktor i shkencave në psikologji sportive, për herë të parë dhe ekskluzivisht për ASIST , flet : Christos Marmarinos .

 

AsistiOnline : Trajner keni qenë në Olympiacos për 14 vite, po ashtu në San Antonio Spurs dhe shkurt në Japoni.

Marmarinos: Japonia ka ndodhur në fund por Olympiacosi është ekipi im dhe baza ime.

AsistiOnline :Tani jeni këtu në Kosovë. Pse Kosova?  

Marmarinos: Fillimisht, isha shumë i ngazëllyer kur dëgjova për përfaqësuese. Për mua është me rëndësi që, kur je në një klub të madh sikurse Olimpijakosi keni tifoz që ju përkrahin dhe ata që janë kundër jush. Jemi në Ballkan dhe jemi njerëz me pasion, kemi miq dhe armiq . Për mua ka qenë me rëndësi të jem në vend ku të gjithë janë tifozë potencial sepse përfaqësoni shtetin, vendin dhe për mua. Ky është nderi më i madh që mund t’i bëhet një personi në sport sepse nuk ka të bëjë vetëm me vlerat e klubit por të shtetit dhe çdo gjë që vjen me të. Për mua nuk ka nder më të madh

AsistiOnline: Trajner, javën e kaluar keni qenë në Rahovec dhe patët rastin të shikoni ndeshjet e Kupës. Gjatë kësaj kohe keni pasur rastin t’i përcillni nga afër shumicën e lojtarëve të ftuar në përfaqësuese për ndeshjet kundër Islandës dhe Luksemburgut. Cila ishte përshtypja e parë?

Marmarinos: Së pari, më pëlqeu shpirti luftarak që djelmoshat e mi e treguan. Pata rastin t’i shoh në lojë dhe të flas me shumicën prej tyre gjatë ndeshjeve dhe po ashtu së bashku me Granitin vizituam edhe lojtarët që nuk u kualifikuan në gjysmëfinale, lojtarët e Prishtinës . Të gjithë janë të etur për të mësuar, këtë mund ta them pas stërvitjes së parë sot. Ata i përcollën shumë mirë këshillat dhe unë shoh talentin dhe potencialin me të cilin mund të punojmë.

AsistiOnline: Trajner, ju keni ftuar po ashtu edhe Erjon Kastratin, Gëzim Morinën dhe Shon Jones-in që luajnë jashtë. Cila është forma e tyre?

Marmarinos: E shikova Shownin kur luajti në Greqi para 10 ditëve kur skuadra e tij luajti kundër AEK-ut. Kisha rastin të takohem dhe të flas me të. Një prej arsyeve pse e kemi këtu është sepse është shumë i nxehur për idenë që të luaj dhe fitoj ngase ky është qëllimi i tij kryesor . Kur fola me të ai më pyeti: Trajner a jemi serioz, a kemi përnjëmend të fitojmë? – Unë i thash: PO! Prandaj jemi këtu ndërsa ai pranoj të jetë pjesë e ekipit . Pata rastin të shoh edhe xhirimet e lojërave të Gëzimit dhe Erjonit dhe t’i shoh sot në stërvitje. Isha i impresionuar me sjelljen e tyre profesionale. Mendoj se kjo treshe që luan jashtë Kosovës është shumë e mirë.

AsistiOnline: Shumica e lojtarëve të ftuar kanë luajtur ndeshjet e Kupës. 4 nga ata të cilët mund të jenë në përbërjen përfundimtare i kan luajtur 3 ndeshje në 4 dit. A e konsideroni këtë periudhë të ngjeshur si pozitive apo mund të ketë ndikim negativ në lojtarët ? A mendoni se do të kenë mjaft kohë për t’u rehabilituar?

Marmarinos:  Nga aspekti fiziologjik PO! Do të kenë kohë të mjaftueshme të këndellen sepse mënyra se si i kemi përgatitur stërvitjet tona janë bazuar në këto ngarkesa dhe e dimë se nëpër çka kanë kaluar , sikurse edhe Showni i cili e pati ndeshjen e Kupës dhe e përfundoi dje,  kjo po ashtu duhet marr parasysh.Mënyra si kemi strukturuar stërvityjet tona është që këta djem t’i ndihmojnë ekipit. Nuk duam t’i vrasim, nuk duam t’i stërngarkojmë por të nxjerrim më të mirën nga ata. Unë preferoj që lojtarët e mi të vijnë nga ndeshjet më shumë se sa të vijnë nga pushimet . Unë përballem me këtë vazhdimisht dhe çdo herë nxjerri anën pozitive të kësaj. E kemi pasur Kupën, orari ka qenë i pashmangshëm prandaj ne do të punojmë me këtë dhe do ta shfrytëzojmë formën e tyre dhe faktin se janë në ritëm të mirë të lojës dhe këtë do ta bartim në Përfaqësuese prandaj unë nuk e shoh këtë si problem.

AsistiOnline: Pra, ju e shihni si pozitive dhe ju duhet kohë e shkurtër për pushim

Marmarinos: Ne do t’ja përshtatim programin tonë nevojave të tyre

AsistiOnline: Trajner, para se të vinit në Kosovë, sa keni pasur njohuri për basketbollin tonë dhe tash duke pasur parasysh kohën e shkurtër për ta përgatitur ekipin për këto dy ndeshje, a do t’i përshtateni ju ekipit apo ekipi do të duhet t’ju përshtatet juve ?

Marmarinos: Kur kemi filluar bisedimet me kryetarin për mundësin për të ardhur në Kosovë,  kam pasur kohë të shoh dhe të mbledh informata sepse sot mund të mblidhni informatat kudo, vetëm nëse doni të investoni kohë dhe unë kam investuar shumë kohë për t’u përgatitur për lojtarët dhe nivelin të cilin do ta gjej këtu. Po ashtu Graniti (v.j jonë Granit Rugova – Drejtori i Reprezentacionit) dhe ndihmëstrajnerët kanë bërë punë të mirë në njoftimin tim me detaje të cilat nuk kam pasur mundësi t’i mësoj përmes videove dhe statistikave prandaj, mendoj se do të takohemi diku në mes.Kemi disa variabla që duhet konsideruar: kemi pasur Kupën, kemi dallim në formën e lojtarëve dhe mungesa e kohës për përgatitje. Unë mendoj se do t’i bëjë që të vijnë tek metoda ime por kjo do të jetë e dyanshme. Ata do të duhet t’i ndryshojnë disa shprehi që i kanë dhe unë duhet t’ju ndihmoj ta bëjnë këtë. Nuk është se unë do t’ju urdhëroj dhe ata do ta zbatojnë por ne do të jemi grup i njerëzve që do të bashkëpunojnë drejt qëllimit të përbashkët dhe për mua kjo është më e rëndësishme. Unë besoj në fuqinë e bashkimit dhe veprimit të përbashkët. Nuk jam diktator , i dua lojtarët e mi dhe bashkëpuntorët e mi dhe kështu dëshiroj të vazhdojmë

 

AsistiOnline: Trajner , çfar do të jetë saktësisht ajo që do të kuroni nga lojtarët tuaj kur të ndesheni me Islandën e cila e dimë se ka marr pjesë në Eurobasket 2015 dhe 2017 ndërsa është ekip shumë i fuqishëm fizikisht?

Marmarinos: Për këtë kemi biseduar me lojtarin më të moshuar në ekip, Edon , pasi ai ka luajtur në Islandë dhe ai më tha se ata janë të fortë dhe janë Viking. Unë i thash ne jemi të fortë dhe jemi nga Ballkani. Unë jam rritur duke më thënë nëna se ne kemi kokën e shqiptarit dhe kte do ta përdorim…

AsistiOnline   Se jemi kokëfortë!

Marmarinos : Pikërisht. Gjyshja ime ishte shqiptare dhe më thoshte se e kam kokëfortësin e saj . Prandaj, ne kemi veti brenda nesh si: shpirtin luftarak, fuqinë fizike dhe ajo që dua në këtë ndeshje është që t’i afrohemi sa më shumë është e mundur , potencialit të secilit lojtar. Shumë kush më pyet për talentin e lojtarëve por për mua nuk është me rëndësi se sa është potenciali i yt nëse ti luan në shkallën 9 prej 10-shit por nëse je lojtar i shkallës 5 dhe luan në nivelin 4,8. Kjo është ideja ime dhe do të kërkoj nga lojtarët e mi që ta shfryëzojmë maksimalisht potencialin e tyre. Nëse e bëjmë këtë dhe e shfrytëzojmë tërë energjinë pozitive të njerëzve tanë atëherë të shohim Vikingët dhe kushdo që na del përpara.

AsistiOnline: Edhe një pyetje konkrete: cila është pika më e fortë e Islandës me të cilën do të ndeshemi të enjtën?

Marmarinos: Disiciplina, përgatitja fizike, përvoja dhe lëvizja e mirë e topit në aspekt basketbolli. Këto i bëjnë shumë mirë, i përmbahen planit, janë metodik dhe do ta pasojnë topin tek lojtari i lirë . Janë shumë të mirë në këtë dhe kte duhet ta kemi parasysh kur e përgatisim planin tonë të lojës.

AsistiOnline: Trajner Christos, ju faleminderit që ishit sonte me ne dhe shihemi të enjten.

Marmarinos: Po… dhe gjithë të tjerët. E pres palestrën e mbushur të enjten dhe përkrahjen e gjithë Kosovës!

Kosova në parakualifikimet për Kupën e Botës 2023 garon në grup me Islandën, Luksemburgun dhe Sllovakinë ndërsa ndeshjen e parë e luan me 20 shkurt në Prishtinë kundër Islandës, me fillim nga ora 19:00. Tri ditë më vonë Dardanët do të jenë mysafir të Luxemburgut.

Aktualisht në dispozicion të Marmarinos janë: Altin Morina, Dardan Berisha, Drilon Hajrizi, Edmond Azemi, Ergin Grosha, Erjon Kastrati, Fisnik Rugova, Gezim Morina, Leonard Mekaj, Meriton Ismaili, Mikaile Tmusic, Samir Zekiqi, Shaën Jones, Ujkan Karanezi Urim Zenelaj dhe Valon Bunjaku, kurse lista finale do të publikohet të mërkuren.

 

 

Komentet janë të mbyllura.