Basketboll

BASHKIMI-PRISHTINA DERBI QË U KTHYE SËRISH

EKSKLUZIVISHT NË ASISTIONLINE: SI KALUAN PËRBALLJET E SIVJETME DHE ÇKA DEKLARUAN LOJTARËT PARA NDESHJES

Prishtinë(AsistiOnline) – Ndeshja kryesore e së shtunës në elitën e basketbollit të Kosovës te meshkujt, padyshim që zhvillohet në “Sezai Surroi” të Prizrenit. Atje ku takohen rivalët e vjetër, Bashkimi e Prishtina, shkruan AsistiOnline.com

Në fakt të dyja skuadrat kanë pasur një formë të luhatshme sivjet në elitën e basketbollit kosovar. Prishtina realisht është lidere e renditjes me bilanc 17 fitore e 5 humbje ndërsa Bashkimi ka 13 fitore e 9 disfata.

Sivjet, Bashkimi dhe Sigal Prishtina janë takuar dy herë dhe secila ka fituar si vendase.

Në ndeshjen e parë për stinorin 2019/20, prizrenasit si vendas mposhtën Prishtinën me rezultat 95-89. Në këtë takim pati shkëlqyer amerikani i Bashkimit, Stevie Clark me 35 pikë kurse te Prishtina s’pati mjaftuar për fitore, tashmë i larguari Divine Myles me 23 pikë.

Në ndeshjen e dytë të zhvilluar në kryeqytet, Prishtina iu revanshua keq Bashkimit, duke ia shkaktuar njërën prej disfatave më të thella në historinë e dueleve të ndërsjella me rezultat, 120-59 ndërsa sërish kishte shkëlqyer Divine Myles i Prishtinës me double-double (24pk, 11krc).  Tek Bashkimi më efikasi kishte qenë  Corey Ross me 17 pikë.

Nga dueli i fundit, tek Prishtina ka pasur ndryshime të shumta në skuadër. Për dallim nga dy ndeshjet e para janë larguar Divine Myles, Dardan Berisha, Jonathan Wade, Jonathan Janssen, Shea Feehan ndërsa kanë ardhur  Jordan Johnson, Anthony Goods dhe Dewayne Jackson.

Tek Bashkimi baza e ekipit ka mbetur po e njëjta ndërsa ekipit i jan shtuar Spenser Mitchell dhe Ron Koshi nga skuadra e famshme turke, Galatasaray.

Në prag të ndeshjes, ekskluzivisht për AsistiOnline.com janë prononcuar edhe akterët e kësaj sfide që fillon nga ora 19:00 në Sezai Surroi dhe transmetohet ekskluzivisht në Art Sport 1, në Artmotion.

Kapiteni i portokallinjve prizrenas, Qëndrim Biraj shprehet pozitiv dhe pret përkrahjen e tifozëve  të cilën e sheh si të domosdoshme për fitore ndaj liderit aktual të Superligës

 

Kapiteni i Bashkimit – Qëndrim Biraj:

Duke ditur që Prishtina ka një ekip mjaftë cilësor, ne gjatë tërë këtij pushimi gati dy javor që e patëm pas Kupës së Kosovës, jemi munduar që ti korigjojmë disa elemente të lojës tonë të cilat po na kushtojnë mjaftë shumë dhe në njëfar mënyre po e ndëshkojmë vetveten me gabimet tona. Do jetë një sfidë e madhe për neve kjo lojë, por besoj që me përkrahjen e tifozëve tanë fantasikë “Arpagjikët” të cilët do jenë nje motiv shtesë për fitore do mundohemi që të japim maksimumin për të nxjerrur rezulatat pozitiv nga ky takim”, u shpreh Biraj.

 

 

 

Nga ana tjetër, fundori prishtinas dhe reprezentuesi i Kosovës, Mikaile Tmusiqi thotë se këtë periudhë të pushimit për shkak të Kupës dhe Parakualifikimeve, skuadra e ka shfrytëzuar për t’u komponuar sa më mirë dhe adaptuar stilit të ri të lojësd nën komandën e trajnerit Hojç

Fundori i Sigal Prishtinës – Mikaile Tmusiq:

”Përkundër pushimit disa javor, ekipi ynë ka stërvitur vazhdimisht, andej jemi të gatshëm për fitore. Sfidat me Bashkimin çdo herë janë të vështira, andaj duhet të bëjmë kujdes dhe besoj se do të dalim me fitore’‘, tha Tmushiq.

 

Ndeshja luhet të shtunën nga ora 19:00 dhe transmetohet direkt dhe ekskluzivisht në Platformën më atraktive në vendin tonë “Art Motion” në kanalin Art Sport 1.

Komentet janë të mbyllura.