Basketboll

PUSHIMI I PADËSHIRUAR I STINORIT: KËSHILLA PËR BASKETBOLLISTËT – FLET ISH BASKETBOLLISTI I SPIKATUR, ARTAN MEHMETI

Prishtinë(AsistiOnline) – Në kohën e pandemisë COVID19 (Coronavirus), njerëzit po mundohen t’i përshtaten “normalitetit të ri” dhe ta “thyejnë” monotoninë e përditshme nga izolimi në shtëpitë e tyre, me kujdes maksimal, shkruan AsistiOnline.com

Kjo situatë i ka prekur edhe sportistët në mbarë botën dhe situata është e palakmueshme pasi aktivitetet sportive tashmë janë pezulluar dhe me shumë gjasa nuk do të rinisin deri në muajin Maj, së paku.

Në lidhje me situatën e krijuar edhe në vendin tonë, që fatkeqësisht nuk ju konvenon fare sportistëve , AsistiOnline.com ka kontaktuar me ish-basketbollistin e spikatur kosovar dhe tash trajnerin e suksesshëm të grupmoshave  të reja, Artan Mehmetin i cili ka folur në lidhje me atë se si duhet të reagojnë basketbollistët në situata të tilla, kur aktivitetet ju ndërpriten pa dëshirën e tyre.

Është kohë e veshtirë për gjithë njerzimin. Kohë e cila do të kalojë, nëse jemi të kujdesëshem dhe ju përmbahemi udhëzimeve të specialistëve. Situatë e cila nuk njeh komb, religjion ose profesion” tha Mehmeti duke shtuar se “Patjetër që edhe sportistat hynë në këtë grup dhe e kanë veshtirë, pasi janë mësu me qenë super-aktivë gjatë ditës, javës dhe komplet vitit. Por edhe në këto rrethana unë mendoj që sportistat munden ta organizojnë – improvizojnë ditën e tyre duke qendruar në shtëpi dhe të kujdesen për shëndetin e tyre dhe të tjerëve.”

Plejmejkeri i njohur që ka fituar 2 tituj kampioni dhe 1 Kupë të Kosovës me Trepçën ndersa ka mbrojtur edhe ngjyrat e Mabetexit e Dritës edhe më cilat është shpallur kampion, thekson nevojën për të pasur kujdes të veçant në regjimin e ushqimit, ushtrimet që mund t’i bëjnë në shtëpi si dhe analizën  ndeshjeve që i kanë zhvilluar.

“Unë mendoj se sportistët në përgjithësi duhen të kenë kujdes në kalori të konsumuara, pastaj ndonjë 30 min – Hit Cardio/workout për sistemin kardiovaskular në shtëpi e pasuar me ushtrime fizike me peshën trupore do të kishte qenë e mirë. Mendoj që edhe videot e ndeshjeve të luajtura më parë kishin me qenë e mirë me i shiku qē të identifikojnē problemet individuale gjatë minutave në parket. Mendoj që kushtet që kemi nëpër shtëpit tona na pamundësojn gjuajtjet në kosh. Por si të gjithë ne edhe sportistat në këtë kohë më shumë të qëndrojnë me familjarët e tyre, më shume lexim, pse jo edhe ndonjë film kish me qenë i mirëseardhur”, tha njëri ndër basketbollistët më të mirë të para dhe pasluftës, në vendin tonë.

Për fund, Mehmeti prononcimin e tij për AsistiOnline.com e mbyllë me një thënie këshilluese që po qarkullon këto ditë në opinion, “Frikë PO, panik JO ?”.

#rrinshpi

Komentet janë të mbyllura.