FBK LËSHON KOMUNIKATË PËR GJENDJEN AKTUALE NË BASKETBOLL
Federata e Basketbollit të Kosovës, sot ka lëshuar një komunikatë zyrtare për media në lidhje me situatën e cila po mbretëron në basketbollin kosovar si dhe hapat e mëtutjeshëm pas Pandemisë COVID-19.
Në fakt mesazhi kryesor i kësaj komunikate është për të gjithë qytetarët e vendit që të respektojnë vendimet e organeve shtetërore, duke qëndruar sa më shumë në shtëpi, por edhe vendimi për vazhdimin apo jo të garave në basketbollin kosovar i cili pritet të jepet gjatë muajit Mars.
Në vijim ju sjellim komunikatën e plotë dhe pa ndërhyrje:
Të dashur basketbolldashës, komunitet i basketbollit në Kosovë,
Të dashur qytetarë,
Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) është duke i përcjellë me vëmendje të shtuar të gjitha zhvillimet që ndërlidhen me pandeminë COVID-19.
Si pothuajse të gjitha aktivitetet tjera në shoqërinë tonë, e edhe anembanë globit, edhe sporti ynë i zemrës basketbolli është ndikuar shumë nga pandemia COVID-19.
Megjithatë për momentin ne duhet të adaptohemi me realitetin e ri të krijuar në të gjithë botën dhe në të njëjtën kohë duhet që të ndjekim me kujdesin më të madh të mundshëm të gjitha këshillat e autoriteteve në vendin tonë në mënyrë që së bashku ta fitojmë edhe këtë betejë, e që kësaj radhe është me një armik më dinak dhe të padukshëm.
Ne do ta kalojmë këtë sfidë së bashku, por derisa të vijë ajo ditë është e rëndësishme duhet t’i zbatojmë masat e udhëzuara nga autoritetet në vendin tonë, pra të qëndrojmë në shtëpi dhe në këtë mënyrë do të kujdesemi për veten dhe për njëri-tjetrin.
Federata e Basketbollit të Kosovës është në kontakt të vazhdueshëm me anëtarët e saj, me basketbollistët e Përfaqësueseve të Kosovës, si dhe me grupet tjera të interesit të FBK-së, dhe i gëzohet faktit se të gjithë janë shëndosh e mirë, kurse uron që të vazhdojë të jetë kështu deri në fund të kësaj beteje.
Gjithashtu, Federata e Basketbollit të Kosovës është në kontakt të vazhdueshëm me FIBA-n, ndërsa stafi i zyrës ekzekutive është duke punuar nga shtëpitë e tyre në detyrat që na presin si shtet organizues i Kampionatit Evropian për grupmoshën U16, Divizioni C, i planifikuar të mbahet prej 11 deri më 19 Korrik 2020.
Me kujdes të shtuar po i vëzhgojmë edhe zhvillimet në federatat simotra sa u përket garave dhe Bordi i FBK-së do të vendosë ditëve në vijim për fatin e garave që organizohen nën ombrellën e saj. Këtë vendim do ta marrim gjatë muajit mars dhe në bashkërendim me autoritetet e Republikës sonë.
Mesazhi i Federatës së Basketbollit të Kosovës është i qartë: mirëqenia e popullatës në përgjithësi dhe e komunitetit të basketbollit në veçanti është dhe do të mbetet prioriteti ynë gjatë kësaj periudhe të rëndë. Prandaj ju lutem kujdesuni dhe ndiqni këshillat e autoriteteve profesionale të vendit tonë që po e bëjnë të pamundurën për ta luftuar armikun global në këto ditë të rënda. Disa thonë që sporti është gjëja më e rëndësishme dytësore në jetë. Edhe ne që sportin e kemi pasur në rend të parë në jetët tona, në këtë kohë pa kohë duhet të pajtohemi me këtë thënie sepse është e qartë se shëndeti dhe mirëqenia janë në rend të parë.
Ndeshjet e basketbollit do të kthehen së shpejti, edhe atë më fuqishëm se kurdoherë më parë!
Ndërkohë, ju lutem pranoni urimet e mia dhe të Federatës së Basketbollit të Kosovës për shëndet të mirë dhe tejkalim sa më të lehtë të kësaj situate.
I juaji,
Arben FETAHU
Kryetar
Komentet janë të mbyllura.