Basketboll

FSHB/FBK – PRITET TË FORMOJNË LIGËN MBARËKOMBËTARE

Prishtinë(AsistiOnline) – Idetë e kahmotshme të dashamirëve të basketbollit mbarëshqiptar, për të pasur një ligë mbarëkombëtare të basketbollit shqiptar si duket tashmë po realizohen, shkruan AsistiOnline.com

Federata e Basketbollit të Shqipërisë dhe ajo e Kosovës, kohëve të fundit kanë pasur takime dhe biseda të shumta për krijimin e një gare unike të përbashkët, të cilat si duket tashmë edhe do ti realizojnë në praktikë.

Sekretarja e përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku në një intervistë të sotme për “Ora shtatë” në Klan Kosova, ka thënë se është punuar gjatë që të krijohet një ligë e përbashkët, Kosovë-Shqipëri. Ajo ka thënë se për këtë çështje edhe janë takuar presidentët e të dyja Federatave dhe gjithçka është finalizuar, sipas Dushkut në vitin e parë të organizimit ishte paraparë që projekti të nisë sivjet në Prill në formë të Kupës, por për shkak të situatës aktuale me Pandeminë COVID-19, kjo është anuluar.

Pozitiv për këtë organizim për mediat shqiptare, ditë më parë ishte shfaqur edhe Presidenti i FSHB-së, Avni Ponari i cili kishte thënë: ”Kemi shkëmbyer edhe korrospodencën me FIBA-në. Janë disa modele, Lituani, Letoni, disa vende që e kanë krijuar këtë llojë kampionati. Ideja jonë është që me Kosovën të kemi një kampionat të përbashkët, një kampionat i madh me vajtje-ardhje. Janë miratuar në parim gjërat’, kishte thënë Ponari në nëj intervistë për ‘TVT’.

Me gjithë situatën e krijuar me Pandeminë COVID-19, bisedat në mes të të dyja Federatave janë duke vazhduar dhe me të përfunduar Pandemia COVID-19, pritet që fillimisht të takohen edhe një herë drejtuesit e të dyja Federatave dhe në mes të muajve tetor-nëntor të zhvillohet një kupë e përbashkët mbarëkombëtare, Kosovë-Shqipëri e më pastaj çdo vit të organizohet edhe liga mes dy shteteve.

Kjo garë është përshëndetur edhe nga klubet kosovare dhe shqiptare dhe sigurisht që pritet të jetë si e mirëseardhur edhe për publikun e të dyja shteteve që e presin shumë moti këtë organizim që pritet të jetë shumë interesant./AsistiOnline.com

 

 

Komentet janë të mbyllura.