Basketboll

EUROLIGA DHE EUROCUP MUND TË ANULOHEN?!

Prishtinë(AsistiOnline) – Janë bërë afro 3 muaj që nga ndërprerja e të gjitha ndeshjeve zyrtare në basketboll në tërë botën shkaku i Pandemisë COVID-19 dhe ende asnjë kampionat nuk ka rinisur me ndeshje.

Në ndërkohë vijojnë të dalin në publik, lajme dhe informacione të ndryshme se ky stinor do të ndërpritet edhe në dy garat më prestigjioze evropiane, Euroliga dhe EuroCup.

Sipas “La opinion de Malaga”, një gazetë me reputacion të madh në Spanjë, kjo thashetheme po bëhet më e madhe. Sipas shkrimeve të tyre, vazhdimi i sezonit nuk do të mbahet as në Eurocup, as në Euroligë.

Pjesa dërrmuese e klubeve evropiane nuk duan të luajnë përsëri këtë sezon dhe gjithçka tregon për faktin se në ditët në vijim do të merret një vendim përfundimtar për anulimin e sezonit 2019/20 në dy garat më të forta evropiane!

Euroliga i ka dhënë vetes një afat si datë e fundit, për të marrë një vendim përfundimtar rreth vazhdimit apo anulimit(25 Maj) dhe duket se ata janë të gatshëm të presin ditën e fundit për të vendosur. E njëjta gazetë pretendon se çdo marrëveshje tjetër midis klubeve, përpos anulimit do të ishte një surprizë e madhe. /AsistiOnline

Komentet janë të mbyllura.