Basketboll

IRWING  DHE HOWARD KUNDËR RIFILLIMIT TË NBA

“RIFILLIMI TËRHEQ VËMENDJEN DHE ZBEH LUFTËN E FILLUAR KUNDËR RACIZMIT SISTEMATIK”

(ASISTIONLINE) – Plani i detajuar për rifillimin e NBA adreson edhe dy çështje shumë të rëndësishme dhe aktuale në SHBA, pabarazinë shoqërore dhe diskriminimin racor. Këto dy çështje të cilat janë ngritur muajve të fundit dhe të cilat kanë shkaktuar trazira shoqërore dhe demonstrata në mbarë SHBA-të janë diskutuar,  veçanërisht.

NBA ka deklaruar se një nga qëllimet kryesore të rifillimit të sezonit do të jetë edhe ” tërheqja e vëmendjes dhe kërkesa për veprim konkret dhe të menjëhershëm për zhdukjen e padrejtësisë shoqërore duke përfshirë luftën kundër racizmit sistematik, zgjerimin e mundësive arsimore dhe ekonomike për të gjithë komunitetin me ngjyrë (afro-amerikanët , hispanikët dhe të gjithë komunitetet tjera jo të bardhë), duke miratuar reformat e domosdoshme të punës dhe veprimit të policisë, reformimin e drejtësisë penale dhe promovimin e angazhimit më të madh të shoqërisë civile.”

 

IRWING  DHE HOWARD KRITIKOJNË RIFILLIMIN, 

 

Disa lojtarë të NBA-së, siç janë Kyrie Irving i Brooklyn Nets dhe qendra e Los Angeles Lakers Dwight Howard, anëtarë të  bordit ekzekutiv të Shoqatës së Lojtarëve të NBA (NBPA), kanë sugjeruar që të rifillimi i NBA mund të zhvendos vëmendjen nga protestat për luftë kundër racizmit sistematik dhe padrejtësia sociale, lëvizje kjo e cila filloi pas vrasjes së afro-amerikanit George Floyd nga polici i bardh në Minneapolis.

Ky rast tragjik ka nxitur protesta dhe demonstrata anembanë SHBA-ve dhe në mbarë botën, për nevojën e ndryshimeve të menjëhershme dhe rrënjësore në adresimin e çështjeve të pabarazisë racore.

 

ROBERTS E CILËSON DEKLARATËN E KOMISIONARIT SILVER “TË SINQERTË DHE ME PESHË” 

Lidhur me këtë, komisionari i NBA,  Adam Silver ka thënë se “nëse një lojtar nuk ndihet rehat duke luajtur në Disney, qoftë për arsye shëndetësore ose për shkak të çështjeve të drejtësisë sociale, atëherë ai nuk ka pse të mblidhet me ekipin e tij dhe ndaj tij nuk do të merren masa disiplinore nga NBA, përveç humbjes së pagës të cilën nuk do ta fitoj nga ekipi i tij, për shkak të ndeshjeve të mos luajtura.”

Drejtoresha ekzekutive e NBPA, Michele Roberts e ka cilësuar deklaratën e komisionarit Silver si shumë domethënëse dhe të fuqishme.

“Fakti që lojtarët tanë kanë mundësinë të mos luajnë, dëshmon për aftësinë e komisionarit për të vlerësuar se sa e madhe është kjo çështje, jo vetëm për lojtarët afro-amerikanë por për të gjithë anëtarët e shoqatës tonë” tha Roberts e cila shtoi se të gjithë lojtarët e kanë vlerësuar lartë sinqeritetin e komisionarit dhe veprimin e tij.

Komentet janë të mbyllura.