Basketboll

FLORIAN MIFTARI – ”AIR FLLOKI” APO DËRRMUESI I KOSHAVE KOSOVARË

Prishtinë(AsistiOnline) – Në momentin që përmendet emri i Florian Miftarit, të gjithëve ju shkon mendja tek ngulitjet monstruoze dhe astronomike që i bënte ”Air Flloki”, pavarësisht kundërshtarëve që kishte përpara.

AsistiOnline.com ju sjellë një profil të ish-basketbollistit të spikatur dhe me nam nga Kosova i cili është i lindur në Prishtinë me 14 qershor të 1981-tës.

Florian Miftari u paraqit fuqishëm në basketbollin kosovar, por u largua shumë qetë nga ai. Miftari, 29-vjeçar, vlerësohet se ishte ndër lojtarët që ndikuan më së shumti në ngritjen e interesimit për basketbollin në Kosovë në vitet e para të pasluftës. Miftari llogaritej lojtari më atraktiv vendës. Ishte i njohur sidomos për ngulitje, shënime për tri pikë dhe bllokada dhe jo pak herë ka ndodhur që nga ngulitjet e fuqishme që bënte të thyhej edhe koshi i Palestrës, mu për këtë ai fitoi edhe nofkën “Air Miftari”.

Miftari karrierën në basketboll e nisi në vitin 1996, ndërsa trajner të parë kishte Masar Nixhën. Nga viti 1997 deri në vitin 2000 qëndroi në Turqi. Në vitin 2000 iu bashkua Prishtinës, për të cilën skuadër luajti deri në vitin 2005. Sukseset më të mëdha i arriti në këtë skuadër. Fitoi tre tituj kampioni dhe tri kupa, ndërsa dy herë u vlerësua lojtari më i mirë në vend. Pas Prishtinës luajti për Mabetexin e AS Prishtinën, ndërsa karrierë bëri edhe në Islandë e Maqedoni. Në vitet e fundit luajti për Pejën. Miftari poashtu ishte reprezentues i Kosovës e më vonë edhe i Shqipërisë

Për largimin e hershëm nga basketbolli, Miftari atë kohë kishte fajësuar drejtuesit e Federatës së Basketbollit të Kosovës, por përveç FBK-së vazhdimin e karrierës i’a kishte pamundësuar edhe lëndimi i boshtit kurrizor. Ai ndeshjen e fundit e zhvilloi në fund të prillit të vitit 2009. Më 1 maj të atij viti u dënua më dhjetë muaj moslojë. Pas kalimit të dënimit pritej që Miftari të kthehej në parket, por nuk ndodhi kështu, ani pse ofertat nuk i mungonin.

 

Për shkak të dënimit të pamerituar u zhgënjeva me drejtuesit e federatës dhe kjo ndikoi më së shumti në vendimin tim që t’i jap fund karrierës aktive në basketboll. Për shkak të një fyerjeje ndaj arbitrit u dënova që të mos luaja një kampionat. Pasi më kaloi dënimi pësova një lëndim të shpinës dhe përfundimisht vendosa t’i jap fund karrierës. Në vendimin tim gjithsesi më së shumti ndikoi vendimi i Federatës. Për një lojtar është shumë e vështirë të kthehet pas pushimit gati njëvjeçar”, kishte thënë Florian Miftari.

 

Nga lojtar e sportist i vitit, ‘Flloki’ u zgjodh punëtor sportiv i vitit, 3 herë nga Federata e Basketbollit të Kosovës dhe kjo e dëshmon më së miri, sesa i ka dhënë basketbollit të Kosovës ky njeri.

Edhe pse ka përfunduar karrierën, Florian Miftari nuk është larguar nga basketbolli dhe sporti. Ai është Prof.Ass.Dr në Fakultetin e Kulturës Fizike të Prishtinës. Ndërsa mban edhe postin e drejtorit gjeneral tek KB Prishtina dhe viteve të fundit ka pasur suksese të panumërta me klubin nga kryeqyteti.

Shpesh më ndodh që të mos besoj që nuk po luaj basketboll. Por vendimi për përfundim të karrierës ishte definitiv. Megjithatë, nga basketbolli dhe sporti nuk do të shkëputem asnjëherë. Do të jap maksimumin që basketbollin dhe sportin në përgjithësi ta shtyj përpara”, kishte theksuar Miftari pas pensionimit. /AsistiOnline.com

Komentet janë të mbyllura.