HAJRIZI ENDE S’E KA DEFINUAR TË ARDHMEN, ZBULON OFERTËN E BUJSHME QË PATI NGA KY SHTET
Prishtinë(AsistiOnline) – Njëri ndër basketbollistët më të mirë vendorë të pasluftës në Kosovë, Drilon Hajrizi ende nuk e ka qartësuar të ardhmen e tij, se me fanelën e cilit ekip do ta shohim në stinorin e ardhshëm.
Në një bisedë për AsistiOnline.com, Hajrizi ka folur për planet dhe të ardhmen e tij, duke potencuar se ende nuk ka vendosur se pjesë e kujt do jetë në stinorin e ri, por që pandemia COVID-19 ia ka prishur një plan shumë serioz.
”Për momentin jam lojtar i lirë, duke e shikuar situatën, gjendja në basketbollin tonë është shumë e vështire, shumë pak ekipe janë mobilizuar për fillim të kampionatit, sa i përket meje, unë së shpejti do ta definoj situatën me Pejën për kontratën e vitit të kaluar, sepse ende është pezull dhe pastaj të shohim”.
Tutje aloja mitrovicase, ka rrëfyer ekskluzivisht për AsistiOnline.com, marrëveshjen që ka pasur sivjet me një skuadër nga Japonia për të luajtur atje, por që situata pandemike i’a ka pamundësuar kalimin atje.
”Në fakt unë kam pasur marrëveshje me një ekip në Japoni, por ja që shkaku i situatës pandemike më është dashur ta anulojmë atë marrëveshje. Japonia nuk është duke lejuar vizitorë ose njerëz me viza pune, kështu që kam kontaktuar edhe me ambasadën e Kosovës, por ka qenë e paarritshme që unë të shkoj atje dhe tash jemi në situatën që jemi faktikisht”, thotë i zhgënjyer Hajrizi.
Ndërsa në fund, sa i përket kontakteve me skuadrat kosovare për të qenë eventualisht pjesë e tyre, ai shprehet kështu:
”Ende s’ka asgjë konkrete, kam biseduar me disa klube këtu, por të jem korrekt, nuk kanë qenë bindëse dhe tash po presim për të vepruar tutje”, u shpreh në fund Hajrizi.
Drilon Hajrizi në edicionin e fundit me Pejën në Superligën kosovare, pati mesatare prej 16.9 pikëve, 8.7 kërcimeve, 3.6 asisteve dhe 1.3 vjedhje të topave për ndeshje, ndërsa në Ligën Ballkanike luajti me 16.9 pikë, 6.9 kërcime dhe 2.9 asiste për ndeshje.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.