Basketboll

TAKOHEN DREJTUESIT E FBK-SË DHE TË KOK-UT, TEMA TË RËNDËSISHME PËR BASKETBOLLIN

Me ftesë të Federatës së Basketbollit të Kosovës, drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës, presidenti Besim Hasani dhe sekretari i përgjithshëm, Shasivar Haxhijaj, janë pritur sot nga krerët e FBK-së, kryetari Arben Fetahu dhe sekretarja e përgjithshme, Elvira Dushku.

Në njoftimin e FBK-së të lëshuar sot, thuhet se Presidenti Hasani dhe sekretari i përgjithshëm, Haxhijaj, përgëzuan FBK-në, për nënshkrimin e marrëveshjes historike me Federatën e Basketbollit të Shqipërisë, për krijimin e një Lige Unike, duke e cilësuar si lajm pozitiv, i cili erdhi në kohën dhe momentin e duhur.

Tutje thuhet se i pari i basketbollit në vend, Fetahu, duke falënderuar drejtuesit e KOK-un për takimin, shpalosi detaje të organizimit të kësaj Lige, për të cilën shprehu besimin se do të ketë efektin pozitiv dhe se shembullin e tyre mund ta ndjekin edhe federata tjera.

Të dyja palët poashtu thuhet se diskutuan për projektet më të reja, si dhe format më të mira të bashkëpunimit mes dy institucioneve, bashkëpunim ky i cili nuk ka munguar as në të kaluarën.

Dëmet e shkaktuara në sportin kosovar, me theks të veçantë basketbollin, ishte njëra nga temat e diskutuara, për çka të dyja palët u pajtuan se dëmet janë të pariparueshme.

Komentet janë të mbyllura.