Basketboll

CLIPPERS NDAJNË RRUGËT ME TRAJNERIN RIVERS

Prishtinë(AsistiOnline) – Skuadra e Los Angjelos Clippers, ka mbetur pa trajner, për faktin se tashmë ka shkëputur bashkëpunimin me trajnerin me renome, Doc Rivers.

Si duket eliminimi i befasishëm nga Denver Nuggets në gjysmëfinalen e play off-it në NBA, i ka kushtuar shumë, trajnerit të Clippers dhe me marrëveshje të dyanshme palët kanë shkëputur bashkëpunimin.

Rivers, 58 vjeç, është trajneri më i suksesshëm në historinë e Clippers, duke përpiluar një rekord prej 356-208, gjatë 7 sezoneve sa ishte pjesë e skuadrës. Nën drejtimin e tij, Clippers ishin në ”play off” gjashtë herë dhe arritën në gjysmëfinalet e Konferencës Perëndimore më 2020, 2015 dhe 2014. Para se të mbërrinte në Los Angjelos më 2013, Rivers kaloi nëntë sezone me Boston Celtics, duke fituar një kampionat në 2008.

Clippers janë skuadra e fundit e NBA që kanë mbetur pa trajner pas përfundimit të sezonit. Pasi ekipe të shumta të NBA-së, ose kanë shkarkuar trajnerët e tyre, ose ata nuk i kanë vazhduar kontratat, si rastet e Houston Rockets (Mike D’Antoni nuk e zgjati kontratën e tij), Philadelphia 76ers (Brett Brown u shkarkua), Indiana Pacers (Nate McMillan u shkarkua), New Orleans Pelicans (Alvin Gentry u shkarkua) dhe Oklahoma City Thunder ( ndanë rrugët me marrëveshje të përbashkët me Billy Donovan). Të gjitha skuadrat po kërkojnë trajnerë të rinjë për stinorin e ardhshëm.

/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.