MBYLLET PJESËRISHT XHIRO E PESTË E SUPERLIGËS, RAHOVECI LIDER I PËRKOHSHËM
Prishtinë(AsistiOnline) – Gjatë vikendit që lamë pas, është zhvilluar pjesërisht xhiro e pestë e Superligës së Kosovës në Basketboll.
E themi pjesërisht, sepse nga 4 takimet e parapara dhe sa luhen rregullisht për xhiro këtë stinor, këtë javë janë zhvilluar, dy ndeshje.
Bashkimi – Rahoveci dhe Ylli – Vëllaznimi, ishin takimet e luajtura këtë xhiro në Superligën e Kosovës dhe ishin shumë interesante e dramatike, madje kjo e fundit shkoi edhe në vazhdime.
Në sfidën e së shtunës, ndërmjet Bashkimit dhe Rahovecit, fitore arritën mysafirët që mposhtën ekipin e Bashkimit me vetëm dy pikë avantazh, 87-89, por që ishte tejet e vlefshme, sepse arritën fitoren e tretë sezonale, karshi dy disfatave e në anën tjetër, Bashkimi pësoi humbjen e tretë, karshi vetëm një fitoreje këtë stinor.
Në duelin e së dielës, Ylli e mposhti Vëllaznimin, por vetëm pas vazhdimeve, 87-74, kjo pasiqë koha e rregullt përfundoi baraz, 70-70. Ylli e arriti fitoren e tretë të stinorit dhe ka një humbje. Ndërsa, Vëllaznimi pësoi disfatën e katërt, karshi vetëm një fitoreje.
Ndeshjet, Ponte Prizreni – Sigal Prishtina dhe Trepça – Peja, janë zhvendosur për termine tjera.
Pas xhiros së pestë, kjo është renditja tabelare e Superligës:
1.Rahoveci, 8 pikë
2.Golden Eagle Ylli, 7 pikë
3.Peja, 6 pikë
4.Ponte Prizreni, 6 pikë
5.Trepça, 6 pikë
6.Vëllaznimi, 6 pikë
7.Bashkimi, 5 pikë
8.Sigal Prishtina, 4 pikë.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.