Basketboll

BASKETBOLLISTËT E KOSOVËS NË KARANTINË: FLET DREJTORI GRANIT RUGOVA

Basketbollistët e Kosovës të mërkurën mbrëma janë vendosur në karantinë para ndeshjeve në kuadër të Dritares së Dytë të parakualifikimeve evropiane për Kupën e Botës 2023.

Të mërkurën mbrëma kanë pasur stërvitjen e parë dhe kështu do të vazhdojnë deri të hënën kur do të nisen për në Bratisllavë.

Ata do të qëndrojnë të karantinuar pa pasur kontakte me askënd, për shkak të situatës me pandeminë. Kosova më 26 nëntor do të përballet me Sllovakinë, kurse dy ditë më pas me Islandën. Dy takimet do të zhvillohen në Bratisllavë.

Drejtori i Përfaqësueseve të Kosovës, Granit Rugova, ka folur për përgatitjet. “Ne jemi grumbulluar dhe do të qëndrojmë së bashku deri para udhëtimit në Sllovaki. Kjo është bërë për shkak të situatës me pandeminë e Covid-19. Do të mbajmë stërvitje dhe do ta shfrytëzojmë këtë kohë maksimalisht për tu përgatitur. Edhe në Sllovaki gjithashtu do të kemi stërvitje para ndeshjeve zyrtare. Do të mundohemi të japim maksimumin në këto ndeshje”, është shprehur Rugova për faqen zyrtare të FBK-së.

Kosova nga dy ndeshje, ka shënuar dy fitore, duke mundur Islandën dhe Luksemburgun për të qenë lidere e grupit, kurse në muajin shkurt të vitit të ardhshëm do të përballet me Sllovakinë dhe Luksemburgun.

Komentet janë të mbyllura.