TRAJNERËT NGA TURQIA, VËRSHOJNË SUPERLIGËN E KOSOVËS
Prishtinë(AsistiOnline) – Pas një periudhe të gjatë pa angazhim në klubet kosovare, trajnerët e basketbollit nga Turqia, duket se e kanë gjetur ‘strofullin’ e tyre tek ne përsëri.
Së fundmi për një periudhë të shkurtë kohore, plotë 3 trajnerë nga Turqia kanë zbarkuar në klubet elitare kosovare, duke rritur në 8, numrin e trajnerëve turq që do të punojnë në basketbollin e Kosovës në përgjithësi në histori.
Në stinorin 2020/21, në basketbollin e Kosovës për një periudhë të shkurtër mes tyre, kanë zbarkuar 3 trajnerë nga Turqia. Fillimisht pas shkarkimit të Dragan Radoviçit nga ekipi i Yllit, këta të fundit kanë emëruar në krye të shtabit teknik, Fatih Gezerin.
Ndërsa, emri i dytë është ai i Serhat Sehitit që erdhi te Trepça, pas shkarkimit të Neven Pllantakut nga skuadra ‘xehtare’.
Nuk mbaron me kaq, Semsettin Bas është emri i fundit që vije në basketbollin e Kosovës, konkretisht te Peja me këta të fundit, që ditë më parë liruan nga detyra, kroatin Edi Xhelalija.
Para ardhjes së këtyre 3 të lartëcekurve, trajneri i fundit turk që ka punuar në Kosovë, është Furkan Saglik që në stinorin 2018/20, drejtoi skuadrën e Bashkimit te femrat, duke qenë mjaftë i suksesshëm tek prizrenaset, përderisa puna e mirë te Bashkimi, bëri që ai të emërohet edhe selektor i një Përfaqësuese të gjeneratave të reja te Kosova.
Tek kategoria e meshkujve, Ceyhun Cabadak është emri i fundit që ka punuar në Kosovë, kur në stinorin 2013/14 drejtonte Sigal Prishtinën, por që ishte larguar nga kampi kryeqytetas, duke dhënë dorëheqje. Cabadak është trajneri i parë i një skuadre kosovare që debutoi në garat ndërkombëtare dhe atë me fitore(ndaj Kumanovës në BIBL).
Para këtyre të fundit në Kosovë, kanë punuar edhe këta trajnerë turq: Ekrem Memnun, Ahmet Kandemir(Sigal Prishtina) dhe Ali Burgul (Mabetex tashmë i shuar) dhe e përsërisim edhe një herë që numri i trajnerëve nga Turqia, që deri më tani kanë punuar në Kosovë, është 8.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.