SUPERLIGA VAZHDON NË VIKEND ME XHIRON E RADHËS
Në fundjavë do të zhvillohet xhiroja e 22-të në Superligën e Kosovës në basketboll.
Takimi më interesant i kësaj xhiro do të jetë ndërmjet Golden Eagle Yllit dhe Ponte Prizrenit, të dy skuadrat që kanë grumbulluar nga 35 pikë apo 14 fitore dhe shtatë humbje, duke u renditur në vendin e parë, përkatësisht të dytë. Takimi pritet të jetë shumë interesant dhe do të mësohet se kush do të kryesojë e vetme në tabelë.
Vëllaznimi që mundi Sigal Prishtinën dhe Pejën, do të mundohet të vazhdojë me rezultate pozitive, ku në këtë xhiro do të ballafaqohet me Rahovecin, që hyn e motivuar pas fitores ndaj Golden Eagle Yllit në fundjavë. Kuqezinjtë kanë gjashtë fitore dhe 15 humbje, derisa Vreshtarët 13 fitore dhe tetë humbje.
E diela është e rezervuar për skuadrat rivale në basketbollin e Kosovës. Trepça do të ballafaqohet me Bashkimin. Mitrovicasit janë në formë shumë të mirë dhe këtë formë të mirë do të mundohen ta vazhdojnë edhe përballë prizrenasve, që në dy xhirot e fundit pësoi humbje nga Ponte Prizreni dhe Sigal Prishtina. Trepça ka tetë fitore dhe 13 humbje, derisa Bashkimi 10 fitore dhe 11 humbje.
Përballja e fundit është ndërmjet Sigal Prishtinës dhe Pejës, dy rivalët e vjetër. Bardhekaltrit pësuan nga Vëllaznimi, por fituan ndaj Bashkimit, kurse pejanët hyjnë me ndryshime, ku së fundi si trajner është angazhuar ish-trajneri i prishtinasve, Dragan Radoviq. Prishtinasit kanë shtatë fitore dhe 14 humbje, kurse pejanët 12 fitore dhe nëntë humbje.
FIVE STAR Superliga – Java 22
E shtunë
17:00 Vëllaznimi – Rahoveci
19:00 Golden Eagle Ylli – Ponte Prizreni
E diel
17:00 Trepça – Bashkimi
19:00 Sigal Prishtina – Peja
Komentet janë të mbyllura.