KRASNIQI: ÇASJA E KLUBEVE KOSOVARE E GABUAR DHE NËNÇMUESE PËR TRAJNERËT VENDORË
Prishtinë(AsistiOnline) – Një numër shumë i madh trajnerësh janë ndryshuar sivjet nga skuadrat e Superligës së Kosovës me pretekstin se nuk ka rezultate nga ta dhe ndaj klubeve tona, tash po mbizotëron një mosbesim i madh nga opinioni i basketbollit.
Ku në fakt qëndron problemi? AsistiOnline.com e ka shtjelluar këtë tematikë, duke kontaktuar me disa prej njohësve më të mëdhenjë të basketbollit të Kosovës të cilët më parë kanë luajtur aktivisht me shumë sukses, ndërsa ushtrojnë edhe rolin e trajnerëve poashtu me shumë sukses.
Trajneri më i trofeshëm në basketbollin e Kosovës, Arben Krasniqi i ka kritikuar ndryshimet e shumta nga klubet tona në shtab teknik, por edhe në lojtarë dhe gjëra të tjera, duke shprehur pakënaqësi të mëdha me çasjen e tyre e cila po e dëmton basketbollin.
”Në basketbollin tonë kane defiluar 15 trajnerë dhe me siguri një numër shumë më i madh i lojtarëve të huaj. Gabimin unë e shoh ne organizimin e klubeve dhe në qëllimet afatshkurta të tyre. Secili klub në Superligë ka hyrë në garë duke menduar se mund ta fiton kampionatin, mirëpo nuk e kanë të qartë se nuk jepen 8 kupa në fund. Vetëm nje ekip mund të shpallet kampion. Dështimin në organizim dhe në një punë sistematike klubet tona mundohen ta mbulojne me pruarje të trajnerëve dhe lojtarëve të huaj. Me keqardhje duhet të ceket se në raportin e fundit të migrimit të lojtarëve të publikuar nga FIBA, Kosova renditet në pozitat e para sa i përket rekordit negativ në proporcionin e importit dhe eksportit të lojtarëve dhe trajnerëve. Poashtu njollë e zezë janë edhe dënimet e shqiptuara nga BAT, tribunali për moskryerjen e obligimeve nga ana e klubeve tona, ndaj lojtarëve dhe trajnerëve të cilët kane pasur FIBA-kontrata”.
Një problem tjetër, është çasja e klubeve e cila është shume e gabuar në rradhë të parë, sepse siç e ceka më lartë, klubet tona fatkeqësisht nuk kanë vizion dhe strategji të qartë të zhvillimit afatgjatë të klubeve. Ka përjashtime, mirëpo është mjaftë shqetësuese se klubet funksionojnë me një numër të vogël të anëtarëve, apo më mire të themi, ”one man show”. Poashtu është shqetësuese që sponzorët jane duke ndikuar në marrjen e vendimeve sportive, gjë që është e paimagjinueshme në një komunitet modern sportiv. Qasja e klubeve pra është e gabuar dhe tejet nënçmuese për trajnerët vendorë dhe për këtë arsye një numër i trajnerëve vendorë edhe përkundër ofertave nuk dëshirojnë që të punojnë në këto rrethana. Trajnerët e huaj të cilët vijnë të punojnë këtu, duhet që ti përmbushin kriteret për trajnerët e huaj të cilat janë aprovuar nga bordi i Federatës në vitin e kaluar. Ka trajnerë të cilët janë profesionistë dhe të cilët kanë përvojë te madhe, siç është rasti me trajnerin e Trepçës i cili është duke bërë punë mjaftë të mirë.
Mirëpo kjo ardhje e shpeshtë e trajnerëve është në rradhë të parë qesharake, turpëruese për basketbollin tonë dhe nuk sjell as kualitet, as ngritje të cilësisë së basketbollit në vendin tonë”, tha Krasniqi i cili së fundmi e udhëhoqi skuadrën e Yllit.
Arben Krasniqi është trajneri më i trofeshëm në basketbollin e Kosovës, duke udhëhequr me Sigal Prishtinën me të cilën ka fituar shumë tituj, për një kohë ka qenë trajner edhe jashtë vendit, ndërsa në Kosovë ka qenë trajner edhe i RTV 21 dhe Yllit, si dhe ka udhëhequr Përfaqësuesen e Kosovës A.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.