RAHOVECI : KOHË E PAPËRSHTATSHME, POR DO T’A PLOTËSOJMË ZOTIMIN
Prishtinë(AsistiOnline) – Nisja e Ligës Unike për shumë kënd ka qenë befasuese. Më 6 dhe 7 Prill do të zhvillohen çerekfinalet në Kosovë dhe një javë më vonë, me 13 dhe 14 prill në Shqipëri do të zhvillohen gjysmëfinalet dhe finalet.
Lidhur me startin e Ligës Unike në këtë fazë të garave të Superligës në Kosovë, AsistiOnline.com ka marrë edhe mendimin Rahovecit, njërës prej skuadrave që po luftojnë për t’u kualifikuar direkt në gjysmëfinale të Play Offit dhe do të jetë pjesëmarrëse në Ligën Unike.
Sikurse therandasit ashtu edhe skuadra e Rahovecit e sheh nisjen e Ligës Unike në këtë fazë si të vështirë dhe problematike por, vreshtarët janë të gatshëm për të marrë pjesë.
Drejtori sportiv i Rahovecit, Adrian Sharku tha se fokusi i skuadrës është renditja sa më e lartë në Superligën e Kosovës, porse i qëndrojnë pas asaj që ishin pro zhvillimit të saj qysh në fillim të sezonit.
”Normalisht që në këtë fazë nisja e Ligës Unike është goxha e vështirë, kur i tërë fokusi i skuadrës është rangimi sa më i lartë në Superligën e Kosovës , është goxha vështirë dhe shumë ngarkesë, por pasiqë ideja për Ligën Unike ka qenë që nga fillimi i kampionatit dhe ne i qëndrojmë prapa kësaj, do të thotë ne jemi të gatshëm të garojmë dhe pse jo, synojmë të arrijmë edhe finalen”, tregoi Sharku.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.