Basketboll

KREU I FBK-SË ARBEN FETAHU, FLET PARA FILLIMIT TË LIGËS UNIKE

Prishtinë(AsistiOnline) – Pak ditë para nisjes së Ligës Unike të basketbollit mes Kosovës dhe Shqipërisë, ka folur edhe kreu i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu.

Në intervistën e dhënë për AsistiOnline.com, Fetahu ju është përgjigjur pyetjeve në lidhje me organizimin e kësaj gare në këtë fazë e cila sigurisht që nuk do të jetë fare e lehtë për klubet kosovare, duke parë ndeshjet e shumta që do të kenë në Superligën e Kosovës.

Të dyja federatat dhe klubet pjesëmarrese e kanë mirëseardhur organizimin e Ligës Unike, megjithëse në forme jooptimale, në këtë fazë. Siç e dini kemi pritur momentin e parë të mundshëm për ta bërë këtë organzim, prandaj me lejimin e zhvillimit të sporteve me dorë në Shqipëri dhe pas një periudhe të mjaftueshme për hyrje në formë garuese për ekipet shqiptare pjesëmarrëse në Ligen Unike, të dyja federatat kanë vendosur se është momenti i duhur që të fillojmë garën për këtë stinor garues. Për fat të keq, nuk kishte kohë të mjaftueshme për të zhvilluar çfarëdo gare tjetër në formë të ligës së mirëfilltë, por konsiderojmë se kjo garë, e para e këtij lloji në trojet tona, do të jetë uvertyrë e mjaftueshme për atë që do na presë nga stinori i ardhshëm”.

A janë konsultuar skuadrat dhe a e kanë dhënë aprovimin e tyre?

Sigurisht se po janë konsultuar edhe skuadrat dhe e kanë pritur me shumë ëndje dhe padurim organizmin e kësaj gare dhe mezi presin të mësojnë kundërshtarët e tyre të parë javën që vjen”.

Por se a ka mundur të organizohet kjo garë në një kohë shumë më të përshtatshme, në po këtë formë si Kupë?

Besoj që ju e dini se cili është kalendari i garave për ekipet tona nga ky moment e deri në fund të stinorit në mes të majit, dhe se ato nga përfundimi i xhiros së fundit të kampionatit të rregullt do të luajnë për çdo 3 ditë deri në fund të stinorit. Duke qenë se ekipet tona kontratat profesionale me lojtarë i kanë deri në datat e paracaktuara me kalendarin tonë të garave, ne nuk kemi mundur që atyre t’jua zgjasim obligimet e tyre kontraktuale ndaj lojtarëve apo edhe t’ua çrregullojmë aranzhmanet e udhëtimit të lojtarëve të huaj, duke ju shkaktuar kësisoj edhe më shumë shpenzime në këtë vit edhe ashtu të vështirë financiarisht”.

A është vendosur për datat e sakta të zhvillimit të ndeshjes, por edhe lokacionet finale?

Janë vendosur edhe datat e sakta edhe lokacionet e zhvillimit të ndeshjeve. Mua më mbetet veç t’ju them se organizime do të ketë edhe në Kosovë edhe në Shqipëri dhe se menaxhmenti i Ligës Unike, përkrahur nga të dyja federatat, po bëjnë maksimumin për t’u ofruar shikuesve tanë një organizim spektakolar dhe për t’u ofruar sportistëve tanë kushte optimale për garim”, përfundoi intervistën Fetahu.

Në këtë garë e cila pritet të zgjojë kureshtjen e madhe të publikut shqiptar, për të luajtur nga Shqipëria janë nominuar: Goga Basket, Vllaznia, Teuta dhe Partizani.

Të kujtojmë se Liga Unike e basketbollit mes Kosovës dhe Shqipërisë u krijua më 10 shtator të vitit 2020 me një ceremoni zyrtare në Tiranë. Të pranishëm në këtë ceremoni historike ishin edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama i cili e kishte zbuluar logon zyrtare të Ligës UNIKE si dhe Kryetari i FIBA Evropës, Turgay Demireli.

/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.