PONTE PRIZRENI MPOSHT TREPÇËN, SHPALLET KAMPION I STINORIT TË RREGULLT
Prishtinë(AsistiOnline) – Ponte Prizreni e ka fituar me shumë telashe ndeshjen e fundit të stinorit të rregullt në Superligën e Kosovës.
Prizrenasit kanë arritur të mposhtin Trepçën me rezultat tejet të ngushtë dhe përfundimtar, 106-101.
Ndeshja ishte tejet e ngushtë përgjatë gjithë kohës me Trepçën që e fitoi ngushtë çerekun e parë, 27-31 e Ponte Prizreni u këndell shpejtë, duke fituar çerekun e dytë 29-16 dhe skuadrat shkuan në pushim me avantazh të Ponte Prizrenit, 56-47.
Ponte Prizreni e nisi më mirë pjesën e dytë, duke fituar çerekun e tretë 26-22. Ndërsa, Trepça edhe pse e fitoi çerekun e fundit 24-32, nuk arriti të shkrijë minusin nga çerekët(2 dhe 3), duke e humbur ndeshjen që do t’ia siguronte ”PLAY OFF”-in.
Te Ponte Prizreni në fitoren e sontme individët më të dalluar ishin: Kwame Vaughn me 25 pikë, Landon Talliaferro me 24 pikë, Josh Martin me double-double(21pk, 18krc), Arti Hajdari me 14 pikë e Urim Zenelaj me double-double(12pk, 13krc).
Te Trepça ‘smjaftuan për fitore: Drilon Hajrizi që ishte afër triple-double-it(28pk, 11krc, 9ast, 3 tvj), Stavros Toutziarakis e Burim Zekiqi me nga 18 pikë, Besnik Azemi me 12 pikë e Dino Butorac me 10 sosh.
Me këtë fitore, Ponte Prizreni e mbyll stinorin e rregullt si lider në Superligën e Kosovës me 48 pikë, 20 fitore e 8 humbje dhe kualifikohet direkt në gjysmëfinale të ”PLAY OFF”-it.
Ndërsa, Trepça mbylli stinorin e rregullt me humbje, 39 pikë në total, 11 fitore e 17 humbje dhe do ta ketë shumë të vështirë inkuadrimin në ”PLAY OFF”, ngase varet se si do të përfundojë ndeshja e sontme, Prishtina – Bashkimi.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.