KAPITENJA E DIKURSHME E KOSOVËS, FLET RRETH PËRFAQËSUESES DHE DALLIMEVE NË TË KALUARËN E TASH
Prishtinë(AsistiOnline) – Përfaqësuesja e Kosovës në konkurencën e femrave, sivjet për herë të parë do të debutojë në gara ndërkombëtare dhe kjo sigurisht që do jetë një faqe e re për basketbollin kosovar femëror.
Në fakt, ekipi i Kosovës ishte i grumbulluar disa herë edhe para pranimit të Kosovës në FIBA, por pa luajtur ndonjë ndeshje të karakterit zyrtar, por vetëm miqësor.
Aurora Muhaxheri, ish-basketbolliste e dikurshme dhe kapitene e Kosovës në kohën kur basketbolli i Kosovës po lulëzonte te femrat, mbrojti ngjyrat e Përfaqësueses së Kosovës, madje si kapitene e skuadrës dhe në një bisedë për AsistiOnline.com ajo foli për ndjenjën e të qenurit lojtare e Kosovës, vështirësitë e kohës së saj për të qenë basketbolliste, Muhaxheri tregoi edhe se sa e përcjell basketbollin e Kosovës pas pensionimit, dallimet nga e kaluara me të tashmen dhe mendimin e saj për Përfaqësuesen tonë që sivjet debuton në Evropë.
”Të them të drejtën shumë pak e prisja se unë do jem kapitene e Përfaqësueses së atëhershme, sepse aty ishin 80% e Përfaqësueses më të moshuara se unë, por ja që ndodhi dhe e barta shiritin. Në moshë isha e re, por gëzova respekt e besim tek njerëzit që më emëruan si kapitene. Mbaj mend kur mposhtëm Malin e Zi, gjatë kohës kur ishim në kamp të organizuar nga Federata në Ulqin. Dua ta theksoj që nuk kam përjetuar asnjëherë në jetë aso ndjenje krenarie ndonjëherë. Ndjenja e të qenurit kapitene ishte e veçantë, pothuajse nuk gjej fjalë ta përshkruaj, njëkohësisht nuk ishte as e lehtë sepse në sport e kudo tjetër që janë grupe njerëzish gjithmonë ka pakënaqesi, por ne ja dolëm dhe u mobilizuam”, tregoi ish-basketbollistja pejane.
Në kohën ku luante Muhaxheri me shoqe, basketbolli i Kosovës nuk ishte i pranuar dh vështirësitë ishin të mëdha, por si e përshkruan ajo atë kohë?
”Vështirësi ka pasur shumë saqë ndonjëherë ishte gati se e pamundur të vazhdonim tutje, por e donim basketbollin më shumë se gjithçka tjetër dhe besoj edhe e kemi treguar në fusha me sukseset e arritura ndër vite. Duke mos dashur as të harroj ta cek se neve si femra gjithmonë na neglizhonin mundin e sakrificat që bënim për sportin që e donim. Duke filluar prej Federatës së atëhershme e pastaj klubet e qytetet, tifozërit e kështu me rradhë”.
E bartur në shtetin e Kanadasë për të zhvilluar jetën e saj me familje, Muhaxheri tutje tregon se sa e përcjell tash basketbollin e Kosovës, atë të femrave dhe tregon dallimin mes basketbollit në kohën e saj dhe tash.
”Basketbollin e Kosovës dhe atë të femrave e kam përcjellur kohëve të fundit shumë përmes Artmotion, njëkohësisht duhet ti përgëzojmë për punën që kanë bërë. Fatkeqësisht kualiteti sot dhe atëher nuk vjen në shprehje as ti krahasojmë, gjithmonë sipas mendimit tim personal. Nuk dua të jem jo modeste, por jam shumë e bindur që këtë Përfaqësuese, Përfaqësuesja e atëhershme do ta mposhte me një diferencë të lartë 30-50 pikë. Gjenerata ime ishte dhe do të jetë më e mira e mundshme e të gjitha kohërave në basketbollin kosovar”, thotë ish-lojtarja e Penzës.
A beson ish-kapitenja e Kosovës në suksese te Përfaqësuesja e Kosovës që sivjet debuton në gara ndërkombëtare?
”Më vjen mirë që disa lojtare të gjenerates sime do ta përfaqesojnë Kosovën ndërkombëtarisht, ju uroj suksese vajzave, nuk duhet nënvlerësuar, ndoshta kombinimi i gjeneratave mund të na japë ndonjë shpresë për fitore dhe pse jo disa nga vajzat e reja si: Enisa Kamerolli ta tregojnë veten e të mund të kenë ndonjë ofertë që të luajnë jashtë vendit. Me një kombinim të përvojës me rininë, une besoj se edhe mund të kenë sukses”.
Krejt në fund, Muhaxheri ka një mesazh për vajzat kosovare të cilat duan të merren dhe merren me basketboll.
”Mesazhi im për vajzat është ky: Mos u dorëzoni asnjëherë pa marrë parasysh sfidave, gjithmonë puna do jetë fitimtare dhe do të ju sjellë suksesin në fund”.
Komentet janë të mbyllura.