ÇKA U THA NË EPISODIN FESTIV – 20 VJET ASIST…
Të martën e 2 Tetorit 2001, në ora 20, filloi fluturimi basketbollistik i cili po zgjat tash e 20 vjet.
Me 2 Tetor 2001 filloi emetimi i ASISTIT me Agon Fehmiun, programit të parë televiziv në histori të medieve shqiptare i cili i dedikohet vetëm dhe ekskluzivisht basketbollit.
Duke analizuar gjithë atë që ndodh në basketbollin kosovar, regjional, evropian dhe NBA, shumë shpejtë ASISTI u bë ndër programet më të popullarizuara dhe më të shikuara sportive dhe jo vetëm, në Kosovën e pasluftës.
Ndikimi i ASISTIT në promovimin dhe popullarizimin e basketbollit në Kosovë ishte i madh, kujton drejtori gjeneral i TV Klan Kosovës, Adriatik Kelmendi, dikur kolegë i Agon Fehmiut në kohën kur punonin së bashku në KTV
(DEKLARATA E ADRIATIK KELMENDIT – VIDEO 2:20 min.)
Pavarësisht nëse dikush e donte apo jo basketbollin, mënyra e përgatitjes së ASISTIT dhe përmbajjat ka ndikuar që shikuesit të dashurohen në ASIST dhe të fillojnë ta përcjellin këtë program dhe me këtë, Agon Fehmiu dhe ASISTI ndikuan që të rritet interesimi dhe dashuria e kosovarëve për basketboll.
Gazmend Syla, drejtor i informacionit në Klan Kosova kujton kohët e arta të basketbollit dhe periudhën kur ngutej për të shkuar në shtëpi për ta shikuar ASIST-in, gjë të cilin e bënte shumica e popullatës kosovare, të hënave mbrëma nga ora 22, atëbotë.
(DEKLARATA E GAZMEND SYLËS – VIDEO 6:38 min)
ASISTI ishte lokomotivë dhe më meritori për shndërrimin e basketbollit në sportin numër 1 në Kosovë gjatë dekadës së parë të shekullit 21. Nga viti 2001 deri më 2011 basketbolli ishte pa diskutim sporti më i shikuar dhe popullarizuar në vendin tonë ndërsa kjo bëri jehonë të madhe edhe jashtë kufijve të Kosovës
Për 20 vjet, në 463 episodet paraprake, në rreth 47.000 minuta të transmetuara, ASISTI ka mbuluar ngjarjet më të rëndësishme dhe madhore të basketbollit kosovar dhe atij ndërkombëtarë. Gjatë dy dekadave, në ASIST parakaluan shumë yje të elitës së basketbollit kosovar por edhe personalitete të basketbollit evropian dhe botëror.
Një prej episodeve më të pëlqyera ishte episodi special lidhur me Ceremoninë Përkujtimore të 10 vjetorit të vdekjes së Drazhen Petroviqit, njërit prej basketbollistëve më të mëdhenjë evropian dhe botëror të gjitha kohëve
Kurrë nuk do të shlyhet nga harresat e adhuruesve të basketbollit suksesi i përfaqësueses së Kosovës në debutimin historik në arenën ndërkombëtare në turneun Aleksandria 2005, në Egjipt, prej nga ASISTI solli pamjet e vetme dhe ekskluzive për kte ngjarje historike.
I paharrueshëm ishte emisioni NBA EUROPE LIVE ku protagonistë ishin ylli më i madh i basketbollit shqiptar i gjitha kohëve Ermal Kuqo i cili atëbotë luante për Efes Pilsenin dhe kombëtaren e Turqisë; trajneri kampion Evrope me Rusinë në Eurobasket 2007, David Blatt dhe ndihmësi i tij në Efes Pilsen, Ekrem Memnuni, ish trajneri i Sigal Prishtinës. Vetëm dy javë pasi u shpall kampion Evrope, trajneri David Blatt foli ekskluzivisht për Agon Fehmiun dhe ASISTIN
Dhe këta ishin vetëm disa nga qindra e qindra mysafirë special që kaluan nëpër ASIST.
Ndërkohë erdhi një pushim gjashtë vjeçar… më 2012, ASISTI pauzoi.
Pensionimi i përkohshë i ASISTIT ndikoi në shuarjen e interesimit mediatik për basketbollin. Fatkeqësisht për basketbollin kosovar, përkundër pranimit të FBK-së në FIBA dhe ndërkombëtarizimit të basketbollit kosovar, mediet i dhanë shumë pak hapësirë basketbollit i cili ngadalë filloi të humbas shkëlqimin e vet dhe me këtë rra edhe interesimi i publikut.
Deri me 3 Dhjetor 2018 kur ASISTI u kthye…
RIKTHIMI
Duke parë këtë rënie të interesimit për basketboll por edhe rënien evidente të kualitetit të Superligës dhe lojës e cila po luhej, Agon Fehmiu vendosi të kthehet me ASISTIN dhe sërish ta ngrit basketbollin aty ku e ka vendin e merituar: në maje. Vendi ku do të rrihte zemra e basketbollit në vendin tonë u bë: ARTMOTION (VIDEO – 14:36 min.)
Rikthimi i ASISTIT u bë me figura të mëdha si kryeministri i Shqipërisë dhe ish basketbollisti i kombëtares shqiptare, Edi Rama; Damir Mullaomeroviqi – kampioni i Evropës me Panathinaikosin dhe lojtarin e Real Madridit, Efes Pilsenit dhe kombëtares kroate; Darda Berisha, basketbollisti më i mirë kosovar i gjitha kohëve i cili në Eurobasket 2009, me fanellën e Polonisë shënoi koshin vendimtar kundër Turqisë në sekondat e fundit, mbi NBA lojtarin Ersan Ilyasovan; Ledri Vulën i cili u rrit me ASIST dhe ishte basketbollist kurse sot është padyshim ndër këngëtarët më të mirë dhe më të popullarizuar në trevat shqiptare… e shumë e shumë të tjerë
Me rikthimin e ASISTIT në ARTMOTION filloi edhe ringjallja e basketbollit kosovar.
Kthimi i ASISTIT u përcoll edhe me marrëveshjen ekskluzive ndërmjet të ARTMOTION-it dhe FBK-së për transmetimin e komplet të gjitha garave dhe ngjarjeve të basketbollit kosovar, klubeve dhe reprezentacioneve.
Duke i transmetuar mbi 250 ndeshje të basketbollit në vit, filluar nga Superliga, Liga e Parë e meshkujve dhe Superliga e Femrave, kadetëve (U16) dhe juniorëve (U18) pastaj ndeshjet e gjitha reprezentacioneve, si dhe pjesëmarrjen e klubeve kosovare në garat ndërkombëtare të FIBA-së: Champions League, Europe Cup dhe Balkan League, ARTMOTION dhe ASISTI e nisën revolucionin e basketbollit dhe shumë shpejtë, filloi rikthimi i shkëlqimit të humbur.
Energjia e humbur u kthye dhe me këtë u kthyen shikuesit dhe atmosfera fantastike basketbollistike nëpër palestra.
Agon Fehmiu dhe ASISTI u kthyen në ARTMOTION e me këtë edhe dashuria dhe interesimi për basketboll.
Rrugëtimi vazhdon, në adresën e vërtet të basketbollit në vendin tonë: ARTMOTION
VIDEO: EMISIONI FESTIV
Komentet janë të mbyllura.