Basketboll

VIDEO LAJM: KBF PRISHTINA – KBF BASHKIMI 77:61

SUPERLIGA E FEMRAVE NË BASKETBOLL (XHIRO 4)

(AsistiOnline) – Skuadra kryeqytetase Prishtina, ka arritur të triumfoj në derbin e xhiros së katërt të Superligës ndaj KBF Bashkimit me rezultat 77:61. Me takimin që u zhvillua në palestrën “13 Qershori” të Therandës, Prishtina në rolin e nikoqires që nga momenti i parë i takimit ka qenë në avantazh, duke mos e rrezikuar asnjëherë brenda 40 minutave lojë.

Edhe pse dy skuadrat humbën nga 22 topa respektivisht, Prishtina shfrytëzoi shumë më mirë këtë detaj, duke realizuar 24 pikë teksa nën trapez ishin dominuese me 42 pikë të realizuara.

Fantastike në 40 minuta lojë ishte qendra Sarah Mgbike që në këtë përballje ishte fan-tas-tike me plotë 26 kërcime dhe 21 pikë të shënuara. Krahas këtyre numrave, Mgbike dha 5 asistime, vodhi 3 topa e bëri 4 bllokada. E shifrat magjike prej triple double përpak sa nuk i kompletoi kapitenja Arbnore Përquku me 14 pikë, 10 asistime e 7 kërcime. Po aq pikë i ka shënuar edhe Aisia Robertson duke shtuar 7 kërcime e dy 5-she, 5 asistime e  topa të vjedhur. Teksa listën e lojtareve me pikë dyshifrore e mbylli Agnesa Rrahmani me 13 pikë.

Trajneri i skuadrës së Prishtinës, Fidan Shatri u shpreh i lumtur për këtë fitore duke theksuar se ishte mbrojtja në çerekun e parë që bëri diferencën.
DEKLARAT E FIDAN SHATRIT, TRAJNERIT TË PRISHTINËS NË VIDEO LINK

Në humbjen e dytë rresht të Bashkimit, katër lojtare shënuan pikë dyshifrore. Më e  dalluara ishte Irma Konjusha me 15 pikë, dyshifrorë të dyfishtë për pak sa nuk kompletoi Era Shatri që luajti me 14 pikë e 8 asistime kurse kapitenja e skuadrës Ulpiana Emra realizoi 12 pikë, prej tyre dy treshe. Pas ndeshjes, kapitenja Emra deklaroi se asgjë nuk shkoi sipas planit të trajnerit
DEKLRATA E ULPIANA EMRËS, KAPITENES SË BASHKIMIT NË VIDEO LINK  

Ishte seria prej 6-0 e krijuar fillimisht nga Prishtina që i dha shuplakën e parë Bashkimit në këtë përballje brenda dy minutave të parë. Teksa në 7 minutat e rradhës, seria prej 17:7 bëri që epërsia të thellohet në +16, 23-7. Në këtë moment, vashat e trajnerit Esenci shkuan në seri 5-0 për të ngushtuar rezultatin në përfundim të çerekut të parë, 23-12.

Furi e njejtë nga Prishtina ishte edhe në çerekun e dytë ku brenda 8 minutave thelluan avantazhin me shënimin e Dekajt në +21 pikë (40-19) teksa pjesa e parë me shënimin e Barnes të Bashkimit, përfundoj 40-25.

Në çerekun e tretë, Bashkimi u pa më solide në parket dhe pjesën e vetme pozitive në këtë ndeshje e pati në 5 minutat e para. Portokall e zezat nga Prizreni me një seri prej 7-0 kur rezultati ishte 43-27 për Prishtinën, bëri që rezultati të shkrihet në 9 pikë me shënimin e Barnes në 43-34.

Por, sërish vashat e Fidan Shatrit u mobilizuan në mbrojtje duke përfunduar 30 minutat me 14 pikë avantazh, 56-40. Periudha e fundit e ndeshjes ishte vetëm përmbyllëse për Prishtinën duke rritur epërsinë në 20 pikë, 77-57 me shënimin e Robertsonit teksa ndeshja u mbyllë me rezultat 77-61.

Me këtë fitore, Prishtina është në krye të tabelës si e pamposhtur dhe javën e ardhshme udhëton në “Karagaq” për tu takuar me Penzën. Ndërsa Bashkimi me humbjen e dytë rresht zë vendin e tretë dhe xhiron e rradhës pret Trepçën.

 

Komentet janë të mbyllura.