Basketboll

EKSKLUZIVE: 244 PIKË NË NJË NDESHJE, REKORDI I RI I BASKETBOLLIT KOSOVAR

Vetëm për ju AsistiOnline e kthen kohën prapa dhe ju sjell një copë të lavdishme të basketbollit kosovar nga koha e artë. Cila ishte ndeshje historike që e mbajti rekordin e numrit më të madh të pikëve të shënuara në një ndeshje, deri të mërkurën mbrëma me 10 Prill 2019...

Prishtinë (AsistiOnline) – 244 pikë në një ndeshje është rekordi i ri basketbollit kosovar i arritur të mërkurën mbrëma (10.04.2019) në duelin Bashkimi – AFK Borea (181:63).

Xhiro 27 e edicionit 2018-19 e Superligës së Kosovës në Basketboll solli shumë rekorde individuale por edhe një shumë të veçantë: rekordin e pikëve të shënuara në një ndeshje me ç’rast lojtarët e Bashkimit dhe Boreas shënuan në total 244 pikë duke e thyer rekordin e vjetër 13 vjet 9 muaj e 26 ditë i cili ishte shënuar në ndeshjen antologjike të Superligës : Mabetexi – Prishtina.

      Mabetex – Sigal Prishtina 114:124 (12.02.2005)

AsistiOnline ju rikthen memorien në ndeshjen antologjike të zhvilluar me 12 Shkurt 2005, kur dueli Mabetex – Sigal Prishtina shkoi në tri vazhdime dhe Prishtina kishte triumfuar me rezultat 124:114 ndërsa në total ishin shënuar 238 pikë, rekord ky të cilin tash e mbanë ndeshja e 10 Prillit 2019. Pavarësisht se rivaliteti dhe kualiteti i lojës është i pakrahasueshëm por megjithatë, rekordi mbetet rekord.

Dhe krejt në fund, vetëm për ju AsistiOnline e kthen kohën prapa dhe ju sjell një copë të lavdishme të basketbollit kosovar nga koha e artë dhe ju sjell raportin dhe tabelën e statistikave nga kjo ndeshje historike dhe deri tash e papërsëritur.

Për të gjithë gurmanët dhe meraklinjtë e basketbollit, AsistiOnline porosit: KËNAQUNI

 

RAIFFEISEN SUPERLIGA E KOSOVËS NË BASKETBOLL ( XHIRO 21)

MABETEX – SIGAL PRISHTINA   114:124  (90:90 k.rr. ; 100:100;  108:108)   

(Prishtinë, 12 Shkurt 2005) Dueli më interesant, më dramatik dhe më maratonik në histori të basketbollit kosovar, ishte ky ndërmjet Mabeteksit dhe Sigal Prishtinës, duel ky i cili u zhvillua në Palestrën e Pallatit të Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë. Rivalët nga kryeqyteti, me të vërtetë kishin përgatitur një lojë, e cila shumë gjatë do të mbahet në mend.

Sigal Prishtina në fund ju gëzua fitores me rezultat 124 me 114 por lirisht mund të themi se në këtë mbrëmje, fitorja ju takoi basketbollistëve të të dy skuadrave, të cilët luftuan maksimalisht dhe i kënaqën me lojë ata 2000 shikues, të cilët kishin ardhur për ta përcjell këtë ndeshje.

Themi se ky duel duhet të mbahet në mend, ngase u thyen shumë rekorde në basketbollin kosovarë, më saktësisht 6 rekorde

Rekordi i parë: Loja u vendos pas 3 vazhdimeve, gjë që nuk ka ndodhur kurrë më parë në vendin tonë.

Rekordi i dytë i thyer në kte duel ka të bëjë me numrin e pikëve të shënuara. Sigal Prishtina dhe Mabetexi shënuan 238 pikë, shifër kjo e cila nuk është arritur kurrë më parë.

Për tre kuriozitetet tjera u përkujdes pllejmekeri i Sigal Prishtinës dhe i kombëtares shqiptare, Samir Shaptahoviq, duke thyer tre rekorde.

Rekordin e  tretë Samiri e vendosi për pikët e shënuara në një ndeshje duke realizuar 58 pikë, prej tyre 42 pikë në kohën e rregullt dhe 16 në lojën shtesë.

Rekordi i katërt – Duke shënuar 31 pikë nga vija e gjuajtjeve të lira, Samiri vendosi edhe rekordin e pikëve të shënuara nga gjuajtjet e lira në një ndeshje. Nga 34 tentime plejmejkeri prishtinas shënoi 31 herë që është efikasitet fantastik prej 91 për qind .

Rekordi i pestë: Dhe rekordi i tretë personal i Samirit në këtë mbrëmje ishte numri i gabimeve personale të shkaktuara ndaj tij: hiq më pak se 22.

Rekordi i gjashtë dhe i fundit në këtë super-ndeshje ishte numri i shkaktuar i gabimeve personale. Lojtarët e të dy skuadrave së bashku kanë shkaktuar 69 gabime personale.

Pra,janë këto të dhëna të shtatë rekordeve të reja në Kosovë të shënuara në mbrëmjën e 12 shkurtit 2005. 

Shaptahoviq në këtë mbrëmje me të vërtetë nuk pat të ndalur, shënonte nga çdo pozitë, dhe përveç me 58 pikë të shënuara ai kontribuoi edhe me 12 asistime, duke shënuar double double fantastik.

Me lojën e basketbollistëve të tij ishte i kënaqur edhe trajneri i Prishtinës, Ekrem Memnun edhe pse ata në disa raste bënin gabime fillestare dhe në pjesën e parë dështuan në shumë pjesë të lojës, megjithatë, arritën ta rikthejnë epërsinë dhe në fund ta fitojnë këtë ndeshje maratonike.

Meritë të veçant për këtë sukses të Prishtinës e ka edhe kapiteni Florian Miftari i cili shënoi 18 pikë dhe 5 kërcime, 7 prej të cilave i ka shënuar gjatë vazhdimit të tretë. Nga 16 pikët sa i shënoj skuadra kaltër e bardhë në vazhdimin e tretë, Florian Miftari pati forcë që shtatë pikët e tij t’i shënon me ngulitje atraktive.

Me 18 pikë në këtë mbrëmje luajti edhe Pave Kuzmaniq ndërsa shtoi edhe 9 kërcime. I shkëlqyeshëm ishte edhe Edmond Azemi me 15 pikë, 8 kërcime, 4 asistime, 2 topa të vjedhur dhe 2 bllokada ndërsa kontribut të jashtëzakonshëm dha Edis Kuraja që luajti me 6 pikë por 13 kërcime ndërsa vodhi 2 topa dhe bëri 2 bllokada.

Nga ana tjetër, edhe përfaqësuesit e Mabetexit në krye me trajnerin Ali Burgul ishin të kënaqur me këtë ndeshje, që është e kuptueshme ngase me të vërtetë kjo ndeshje meriton çdo respekt.

Nga radhët e milionerëve, 6 basketbollist shënuan pikë dyshifrore. Më i miri ishte Damien McSwein me 25 pikë, Muhamed Thaçi kontribuoi me 22 pikë kurse veterani Habib Ademi realizoi dyshifror të dyfishtë prej 14 pikëve e 10 kërcimeve.

Ishin këto disa nga të dhënat më kryesore të duelit antologjik, për të cilin në vazhdim do të flasim periudhë për periudhë.

Në periudhën e parë, basketbollistët e Mabetexit e filluan mjaft furishëm takimin me shënimet me ngulitje si dhe bllokadat e Fred Williamssit dhe Ja Ja Richardsit. Kjo ia bëri me dije kampionit vjeshtorë se sonte do ta ketë shumë vështirë.

Milionerët aplikonin mbrojtje të fortë, dhe kjo nuk i lejoi prishtinasit që të shënojnë më tepër se 5 pikë për 5 minuta lojë. Nga ana tjetër, në sulm, vendasit ishin shumë agresiv dhe kundër tyre aspak nuk kryente punë mbrojtja më e mirë e ligës. Në këtë pjesë të lojës, Mabetexi i shënoi Prishtinës 28 pikë ndërsa pranoi nga ata vetëm 15.

E njëjtë ishte edhe periudha e dytë. L lojë shumë e mirë, shënime atraktive në mënyrë të ndryshme dhe me ngulitje nga të dyja palët. Gjatë periudhës së dytë, epërsia e Mabetexit shkoi në 16 pikë por fatëkeqësisht për ta, Fred Williamss i cili për 13 minuta lojë kishte shënuar 16 pikë u lëndua dhe u detyrua të largohet nga parketi, për tu mos u kthyer më.

Ishte ky një hendikep i madh për Mabetexin por i cili nuk u ndal, vazhdoi lojën e vet dhe shtoi epërsinë në maksimum prej 17 pikëve (40: 23) ndërsa në pushim shkoi me plus 14 pikë epërsi (54:40).

Mirëpo pas pushimit Prishtina ishte një skuadër krejt tjetër, shumë më agresive në sulm dhe sidomos në mbrojtje, me çka detyroi kundërshtarin që të bëjë gabime të njëpasnjëshme dhe pak sekonda pa përfunduar periudha e tretë rezultati u ngushtua në vetëm 1 pikë, 68 me 67 në të mirë të Mabetexit.

Në periudhën e fundit, 7 minuta e 20 sekonda pa përfunduar ndeshja, plejmejkeri fantastik prishtinas Samir Shaptahoviqi barazoi rezultatin në 76 me 76 ndërsa i njëjti lojtar u përkujdes që pak më vonë të shënon për epërsin e parë të prishtinasve në këtë ndeshje, 78 me 81.

18,3 sekonda pa përfunduar pjesa e rregullt e takimit, pranë rezultatit 88 me 88, Samiri kishte dy gjuajtje të lira të cilat i realizoi dhe sërish i kaloj kaltër e bardhët në epërsi prej 88 me 90.

Nga ana tjetër, McSwein ndalet në mënyrë të palejuar dhe kësaj radhe ai gjendet në vijën e penaleve dhe nuk gabon, duke barazuar rezultatin në 90 me 90.

16 sekonda kishin mbetur deri në përfundim të këtij takimi, ndërsa topi ishte në duar të Prishtinës.

Samiri vendos të merr fatin e ndeshjes në duar të veta… gjuan për tri pikë… nuk qëllon dhe ndeshja shkon në vazhdime. Pjesa e rregullt e këtij super-derbi përfundon me rezultat  të barabartë 90:90.

Gjatë vazhdimit të parë , Prishtina ishte e udhëhequr nga Samiri, ndërsa nga ana tjetër Habib Ademi mbajti në hap Mabetexin. Edhe në këtë pjesë të lojës u përsërit finishi i pjesës së rregullt. Këtë herë, pranë rezultatit të barabartë  100 me 100, sulmi i fundit sërish i takoi prishtinasve dhe sërish përgjegjësinë e mori Samiri i cili kësaj radhe futet në trapez por në vend se të depërton në thellësi ai vendos të gjuaj nga gjysmë distanca, përsëri nuk shënon dhe loja sërish shkon në vazhdime. Ishte kjo loja e dytë shtesë.

Në vazhdimin e dytë, Mabetexi pati epërsi po thuaj gjatë tërë kohës ndërsa McSwein dhe Habib Ademi kanë mundur ta vendosin lojën në të mirë të Mabetexit por, pran rezultatit 108 me 108, këtë herë ishin lojtarët e milionerëve ata që dështuan në sekondat e fundit.

E pabesueshme por e vërtet: thyhet rekordi sepse ndeshja shkon në vazhdimin e tretë. Kjo nuk ka ndodhur asnjëherë më parë.

Data 12 shkurt 2005 do të hyjë në histori me këtë lojë për antologji, të basketbollit kosovar.

Duhet të luhet edhe një pjesë shtesë, e treta me radhë për t’u vendosur, eventualisht,  fituesi i kësaj super-maratone basketbollistike.

Dhee… e treta e vërteta…

Prishtina e udhëhequr nga Florian Miftari dhe natyrisht Samir Shaptahoviqi, startoi me seri të shpejtë prej 9 me 1, për të krijuar epërsi prej 117 me 109 që ishte e paarritshme për Mabetexin  dhe e cila vendosi fituesin.

Prishtina siguroi fitoren me mjaft mund, për t’i gëzuar adhuruesit e vet në tribuna. Gëzimi ishte i madh edhe tek lojtarët në parket, në këtë rast te Samiri e Floriani të cilët për festimin e tepruar u ndëshkuan me gabim teknik por, kjo nuk ndikoi në rezultat ngase fituesi tashmë ishte vendosur.

Në fund, Mabetexi 114 dhe Sigal Prishtina 124 ishte epilogu i kësaj ndeshje historike dhe superderbit të madh të xhiros së 21-të të Raiffeisen Superligës në Basketboll..

Për kte arsye ne kosovarët e duam këtë lojë, basketbollin, sportin më atraktiv në vendin tonë.

Gjitha të tjerat janë përalla.

 

Komentet janë të mbyllura.