Basketboll

BESIM MAXHUNI PO SHKËLQEN SI KRYETRAJNER TE RAIDERS NË FINLANDË

Prishtinë(AsistiOnline) – Skuadra e Raiders Basket në Ligën e parë të Finlandës po e vazhdon formën e mirë këtë edicion të garave e në tërë këtë sukses padyshim që prej meritave më të mëdha i atribohen edhe një njeriu të veçantë.

Ky ekip po udhëheqet nga ish-basketbollisti i spikatur dhe tash trajner me shumë perspektivë, Besim Maxhuni, gjersa sot e ka arritur edhe fitoren e pestë sezonale.

‘Është e mrekullueshme të njohësh dhe të kesh në skuadër një njeri që ka gradën më të lartë të trajnerit në Finlandë dhe përpos kësaj edhe licencën e FIBA-s – Pro A, pra është emër i dëshmuar”, kishte thënë Jarkko Lanu, drejtor ekzekutiv i Raiders Basket në fillim të sezonit kur ky ekip kishte nënshkruajtur në verë me Maxhunin.

Raidersi këtë vikend ka fituar në udhëtim te Korikouvoti 87-92 në një sfidë në të cilën e kishte kontrollin e rezultatit nga fillimi e deri në fund.

Ishte një ndeshje të cilën e fituam me meritë dhe kishim kontrollin nga fillimi e deri në fund edhe pse katër lojtarë të tyre luajnë me licencë të dyfishtë edhe në Superligën e Finlandës dhe përballë kishim një ekip të super-përforcuar, por me të vërtetë ekipi im po luan si familje dhe lojtarët po e japin maksimumin e fitorja ishte e pashmangshme”.

Ekipi që Maxhuni po e udhëheq sivjet me tepër sukses, është një skuadrër që e ka ndërruar emrin para pesë viteve dhe në mediat e Finlandës është përmendur për sukseset e kësaj skuadre, që nën-drejtimin e Maxhunit sivjet e ka startin më të mire në kampionat prej që ekziston ky klub.

Po ashtu është, sivjet skuadra e ka një bilanc tejet të mirë, për çka edhe jam krenar sepse puna jonë po shpërblehet. Ne do të vazhdojmë deri në fund me punë dhe angazhim maksimal e se çfarë ndodh pastaj nuk i dihet, sepse luajnë rol shumë faktorë dhe jo gjithçka varet nga ne”, thotë njëherazit edhe babai i basketbollistit që po shkëlqen viteve të fundit në Evropë, Edon Maxhunit.

Ish-basketbollisti që dikur shkëlqente në parketet kosovare, te Raiders e ka edhe një rol të veçantë dhe të dashur, natyrisht përpos kryetrajnerit të skuadrës së parë.

Tek Raiders përpos ekipit të parë merrem edhe me juniorët e skuadrës, apo gjeneratën e re si i thonë në Kosovë, në Finlandë rregulloret për kategorinë tonë janë kësisoji, por edhe unë e kam pranuar me shumë qejf, për faktin se kam punuar edhe më herët në këtë pjesë. Sa ju përket juniorëve me ta jemi në vendin e parë në Superligë dhe në vikend kemi arritur fitore”, u shpreh Maxhuni.

Raiders momentalisht pozicionohen në vendin e tretë në Ligën e parë në Finlandë me 5 fitore e 2 humbje dhe 10 pikë të grumbulluara, vetëm dy më pak se Honka që është lidere e tabelës.

Shpresojmë dhe besojmë që Federata e Basketbollit të Kosovës do ta ofrojë në rradhët e veta sa më shpejtë të jetë e mundur një profesionalist si Besimi, sepse me të vërtetë basketbolli ynë ka shumë nevojë për këta njerëz që mbi të gjitha përpos njohurive të mëdha të basketbollit, zotërojnë në maksimum edhe anën njerëzore fantastike.

/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.