RAHOVECI MPOSHT BASHKIMIN, SHTON GJASAT PËR ”PLAY OFF”
Prishtinë(AsistiOnline) – Rahoveci e ka mposhtur Bashkimin në kuadër të xhiros 18 në elitën e basketbollit kosovar.
‘Vreshtarët’ triumfuan sonte ndaj portokallinjëve me rezultat tejet të thellë 87-68.
Rahoveci e nisi ndeshjen shumë mirë duke e fituar çerekun e parë bindshëm 25-11, derisa i dyti i takoi ngushtë Bashkimi 15-19 dhe ‘vreshtarët’ shkuan në pushim mes pjesëve me epërsi dyshifrore 40-30.
Në pjesën e dytë, çereku i tretë u luajt baraz (20-20) edhe pse Bashkimi e tentoi maksimalisht barazimin, madje në disa momente edhe arriti të barazojë rezultatin (45-45), por në periudhën e fundit dhe vendimtare, Rahoveci e kontrolloi ndeshjen dhe fitoi çerekun e katërt (27-18) i cili i siguroi fitoren e merituar.
Milik Yarbrough si zakonisht edhe sonte ishte më i miri te Rahoveci me 28 pikë e 10 kërcime, gjersa u ndihmua edhe nga Cavon Baker me 16 pikë, Musab Mala kishte 15 pikë e 12 kërcime, Fisnik Rugova 13 pikë e 10 kërcime dhe transferi i ri, Jervon Pressley që debutoi me 10 pikë e 7 kërcime.
Te Bashkimi më i miri ishte qendra e re, John Florveus që debutoi me double-double 17 pikë e 14 kërcime, derisa Valon Bunjaku kishte 18 pikë, Kendrick Thompson 16 dhe Julien Lewis 14 sosh.
Pas xhiros së 18-të, Rahoveci mbetet i 7-ti por tash me 21 pikë, 5 fitore dhe 11 humbje e Bashkimi pësoi humbjen e 10-të, karshi 8 fitoreve dhe gjendet i 6-ti me 26 pikë.
Në xhiron e ardhshme, Rahoveci i shkon Sigal Prishtinës e Bashkimi e pret Trepçën.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.