FEJTON EKSKLUZIV: NDESHJET MË TE ÇMENDURA NË HISTORINË E BASKETBOLLIT TË KOSOVËS (PJESA 1)
Prishtinë(AsistiOnline) – Viteve të fundit elita e basketbollit kosovar e gradualisht e ka kthyer shkëlqimin e humbur dhe me këtë ritëm ky sport shumë lehtë mund ta rikthejë primatin e sportit më të shikuar në vendin tonë.
Ishin muajt e fundit e vitit 2019 dhe dy muajt e parë të 2020-tës ato të cilat rikthyen palestrat e stërmbushura dhe sidomos Final 8 i Kupës së Kosovës në Mizahir Isma të Rahovecit nga 11-15 Shkurt 2020 kur interesimi e arriti kulmin para se me 13 Mars 2020 e tërë bota të ndalej për shkak të pandemisë COVID19. Pa dyshim se korona virusi e bëri të veten dhe e ndali hovin e zhvillimit të interesimit për basketbollin kosovar por kjo ngadalë u tejkalua dhe aktualisht, palestrat tona përsëri po stërmbushen dhe atmosfera po është fantastike basketbollistike.
Vetëm kujtoni edicionin e kaluar 2020/21 i cili ishte stinori më i nxehtë, më dramatikë dhe më i paparashikueshmi në histori të basketbollit të pavarur kosovar nga edicioni 1991/92 pasi deri në minutat e fundit të xhiros së fundit nuk dihej se cila nga tri skuadrat: Vëllaznimi, Sigal Prishtina apo Trepça do të bie nga Superliga. Për herë të parë në histori kishte ndodhur që dy ndër skuadrat më të suksesshme të basketbollit tonë të luftojnë për mbijetesë; nuk dihej se cila nga këto tri skuadra do të bie në Ligën e Parë, cila do të luaj në Play Out dhe cila do të kaloj në Play Off. Fal dramës së fituar në fund kundër Vëllaznimit, skuadra më e suksesshme e gjitha kohëve Sigal Prishtina mbijetoi, Trepça mbeti në Play Out kurse Vëllaznimi i cili i kishte dhënë shije fenomenale rivalitetit në Superligë u desh të pajtohej me rënie në një rang më të ultë të garave.
Dhe kështu sivjet, elita e basketbollit kosovar përsëri i ktheu këto drama dhe kënaqësi basketbolli kurse këtë më së miri e dëshmon ndeshja e fundit ndërmjet Trepçës dhe Pejës, gjysmëfinalja e dytë e Play Offit e zhvilluar të enjten mbrëma në Minatori.
Mbi 4 mijë shikues në palestër, rreth 10 mijë kërkesa për bileta dhe drama fantastike basketbollistike e cila u vendos vetëm pas dy vazhdimeve dhe përpak sa nuk shkoi në vazhdimin e tretë me çka do të hynte në antologji të basketbollit tonë si një ndër ndeshjet e pakta që u përcaktuan pas 55 minutave lojë.
Para se ASISTIONLINE t’ju kthej prapa në histori duke ju rikujtuar ndeshjen më maratonike në histori të basketbollit kosovar me heronjtë e saj, ja disa detaje interesante nga njëra prej ndeshjeve më të bukura që mbajmë në mend ndonjëherë, Trepça – Peja, gjysmëfinalja e dytë e Play Offit 2021/22 të Artmotion Superligës.
12 MAJ 2022
TREPÇA – PEJA 107:105 (84:84; 95:95)
Klasika e basketbollit kosovar Trepça – Peja përgatiti shfaqje fantastike basketbollistike dhe dramë e cila pa asnjë dyshim hyri në historinë e basketbollit kosovar si një prej super-ndeshjeve që nuk do të harrohen kurrë.
Dueli i dytë i serisë gjysmëfinale të Artmotion Superligës fituesin e përcaktoi vetëm pas dy vazhdimeve me Trepçën e cila triumfoi pas një lufte të madhe dhe pasi 4 lojtarë nga pesëshja startuese u larguan nga loja për shkak të 5 gabimeve personale (Cockfield, Hot, Hajrizi dhe Gordon) kurse i pesti ishte Samir Zekiqi, lojtari i gjashtë apo rezervisti më i mirë sivjet. Këtë ndeshje të çmendur gjatë të cilës Trepça në një moment kishte 13 pikë epërsi dhe përpak sa nuk e humbi pasi Peja e riktheu në favor të vetin, në vazhdime e dërgoi qendra e mitrovicasve Mike Edwards me treshe në të qindtat e fundit të pjesës së rregullt (84:84). Ndërkohë, kur të gjithë pritnin që për shkak të largimit të 5 lojtarëve kyç Peja lehtësisht ta fitoj në vazhdime, ishin rezervistët Valdrin Hahixu kapiteni i skuadrës dhe vëllezërit e rinj Zekiqi, Burimi dhe Ramadani ata që i qëndruan përkrahu ish-NBA lojtarit Rodney Pervis dhe qendrës Mike Edwards të cilët befasuan mysafirët dhe disa sekonda pa përfunduar vazhdimi i parë e kaluan Trepçën në epërsi prej 95:92. Mirëpo, kësaj here kur të gjithë e shihnin Trepçën si fituese në skenë doli basketbollisti më i mirë kosovari gjitha kohëve, Dardan Berisha i cili mori përgjegjësinë mbi vete dhe në stilin e tij, nga një pozitë jashtëzakonisht e vështirë dhe mbi gjigantin 208 centimetra Mike Edwards, lansoi dhe qëlloi treshen e barazimit (95:95) për ta dërguar këtë triler në vazhdimin e dytë.
Ishte kjo një situatë e ngjashme me atë kur Dardani, në kohën kur luante për kombëtaren e Polonisë në Eurobasketin 2011, gjithashtu në sekondat e fundit, mori përgjegjësin mbi vete dhe qëlloi mbi NBA yllin Ersan Ilyasovan duke i dhënë fitoren skuadrës së tij ndaj Turqisë e cila ishte nën-kampione e Botës asokohe (Botërori 2010, Turqia e dyta pas SHBA-ve)
Megjithatë, hero i ballafaqimit Trepça – Peja doli të jetë ish-NBA lojtari Rodney Purvis i cili jo vetëm se realizoi treshen vendimtare por edhe gjitha 9 pikët e fundit të Trepçës për t’ia siguruar fitoren e dytë rresht dhe dhënë epërsinë prej 2:0 në seri.
Trepça – Peja mund të cilësohet si një prej ndeshjeve më të mira në historinë e basketbollit të Kosovës i cili ka pasur ndeshje të ngjashme “të çmendura” dhe atë hiç më pak se në edicionin e sivjetmë kur Peja edhe një herë ishte pjesë e trilerit fantastik të përballjes me Golden Eagle Yllin në Therandë, me 31 Tetor 2021. Në kuadër të Artmotion Superligës dhe Ligës Unike (kjo ndeshje vlerësohej për të dyja garat), therandasit dhe pejanët dërguan duelin në dy vazhdime dhe ngjashëm sikurse në ndeshjen Trepça – Peja, ishin treshet ato të cilat siguruan që Ylli dhe Peja të shkojnë në dy vazhdime.
31 TETOR 2021
GOLDEN EAGLE YLLI – PEJA 93:92 (71:71;84:84)
“Gëzim Morina i cili gjatë 39 minuta e 56 sekondave të lojës së rregullt realizoi vetëm 2 pikë, në fund doli të jetë hero i Golden Eagle Yllit me treshen në sekondën e fundit me sinjal e cila barazoi rezultatin (71:71) dhe e dërgoi ndeshjen në vazhdime ku nga ana tjetër, ishte Sami Hajzeri ai i cili për 44 minuta e 56 sekonda qëndroi në bankën rezervë dhe porsa hyri në lojë për ta zëvendësuar ish plejmejkerin Erdem Ilterin e larguar për shkak të pesë personaleve, në kontaktin e parë me top, qëlloi trepikëshin e “trentë” me tabelë dhe e dërgoi ndeshjen në vazhdimin e dytë (84:84) ku figurë tragjike për Pejën doli të jetë kroati Henrik Shirko, njëra prej shtyllave kryesore të skuadrës në atë triler por i cili në 11 sekondat e fundit u ngatërrua dhe u vonua në realizimin e sulmit duke e huq tentimin nga distanca e madhe dhe në fund, Golden Eagle Ylli arriti fitoren me rezultat maksimalisht minimal 93:92. Pra,historia u përsërit edhe të enjten e kaluar sikurse me 31 Tetor të vitit ta kaluar në Therandë kur Peja ishte mysafire dhe deri në sekondën e fundit të ndeshjeve respektive kishte 3 pikë epërsi mirëpo nikoqirët e atyre ndeshjeve (Ylli dhe Trepça) me treshe të shënuara në qindtat e fundit barazuan dhe siguruan vazhdimet. Ndërkohë, në vazhdimet e para, Ylli dhe rishtas Trepça ishin ato që performuan më mirë dhe siguruan epërsi prej 3 pikëve por pejanët ktheheshin me treshe dramatike (buzzer beter) për t’i dërguar përballjet në vazhdimet e dyta ku në mënyrë identike, si me 31 Tetor kundër Yllit ashtu edhe së fundmi me 12 Maj kundër Trepçës, ishin vendasit ata që siguruan fitore me rezultate maksimalisht të ngushta.
Si rikujtim të këtyre ndeshjeve i keni në video linqet më sipër por nuk ishte vetëm Peja ajo e cila hyri në histori me ndeshje dramatike që shkoi në dy vazhdime sepse edhe Trepça vitin e kaluar me 27 Shkurt 2021 në Minatori, zhvilloi triler fenomenal kundër Ponte Prizrenit. Asokohe, kapiteni Valdrin Haxhiu me 4 treshet e tij u shpall hero dhe ky duel gjithashtu hyri në histori si ngjarje e cila ja vlen të rikujtohet.
27 SHKURT 2021
TREPÇA – PONTE PRIZRENI 116:114 ( 89:89 ; 98:98 )
Trepça ka fituar maratonën dramatike ndaj Ponte Prizrenit në kuadër të xhiros së 20 të Superligës me rezultat 116:114, ku fituesi u përcaktua pas dy vazhdimeve.
Në këtë përballje, Ponte Prizreni pati epërsi maksimale deri në 13 pikë ndërsa Trepça e arriti atë prej + 9. Pas 40 minutave dueli ishte baras 89:89 kurse shtesa e parë përfundoi me 98:98 për të shkuar në vazhdimin e dytë ku adrenalina në ‘Minatori’ arriti maksimumin dhe Trepça fal 12 pikëve të ish plejmejkerit Ivan Koljeviqit triumfoi me rezultat 116:114.
Me të dalluarit tek Trepça në atë duel ishin qendra Stavros Toutzaiarkis me 30 pikë e 22 kërcime, Ivan Koljeviq me 28 pikë e 11 asistime përderisa Drilon Hajrizi realizoi 22 pikë, 11 kërcime e 7 asistime. Te Ponte Prizreni u dalluan Divine Myles me 29 pikë e 10 kërcime, Këame Vaughn me 27 pikë dhe qendra Josh Martin me 15 pikë e 16 kërcime.
Dhe kush tjetër veç se ASISTIONLINE ju sjell këto histori dhe bukuri basketbolli…
(video-raporti : minuta 9:50 – 14:22)
Por cila është ndeshja më e “çmendur” në historinë e basketbollit të pavarur kosovar?
Për adhuruesit e basketbollit të cilët e mbajnë mend mirë periudhën e artë të basketbollit të pasluftës 2000-2006 Asistionline rikujton ndeshjen më të trentë ndonjëherë kurse për ata që janë më të rinj dhe e duan këtë sport, po ua prezantojmë përballjen historike e cila në vitin 2005 shkoi në tri vazhdime dhe gjatë të cilës ishin thyer 7 rekorde të basketbollit kosovar (asokohe). Cila ishte kjo ndeshje e lexoni së shpejti në pjesën e dytë të këtij fejtoni në AsistiOnline: FEJTON: NDESHJET MË TE ÇMENDURA NË HISTORINË E BASKETBOLLIT TË KOSOVËS
Komentet janë të mbyllura.