Basketboll

PRISHTINA – KLUBI I VETËM KOSOVAR QË DERI TANI KA LUAJTUR NË CHAMPIONS (PËRMBLEDHJE)

Prishtinë(AsistiOnline) – Kur jemi tek pjesëmarrërrja e klubeve nga Kosova në garat evropiane, emri i parë që na bie ndërmend është, KB Prishtina.

Skuadra më e trofeshme kosovare, deri tani është klubi i vetëm nga shteti ynë që ka garuar në kompeticionin prestigjioz, Champions League i treti për nga rëndësia në kontinentin e vjetër, e sivjet edhe Ylli po synon të luajë aty.

Në të kaluarën, Prishtina ishte paraqitur për tri edicione rresht në Champions, konkretisht në edicionet: 2017-2018, 2018-19, 2019-20.

Në të tre edicionet, prishtinasit për fat të keq kishin zhvilluar vetëm nga një seri të ndeshjeve dhe ishin eliminuar që në fazën kualifikuese e nga tërë kjo histori evropiane e kanë vetëm një fitore dhe kjo më së miri e tregon faktin se në këtë garë ka ekipe tejet të fuqishme dhe për të luajtur aty duhet të jesh klub shumë i organizuar.

Në sezonin e parë 2017/18, skuadra e Prishtinës ishte eliminuar nga ekipi bjellorus, Tsmoki-Minsk duke i humbur të dyja ndeshjet në Prishtinë dhe Minks (50-57, 89-74).

Në edicionin 2018/19, prishtinasit ishin shumë afër kalimit në fazën e dytë sepse e kishin mposhtur Donar Groningenin e Holandës në Prishtinë me 20 pikë diferencë (84-64), derisa në Groningen kishte pësuar thellë 80-55 dhe ishte eliminuar befasisht.

Derisa në edicionin e fundit pjesëmarrës 2019/20, Prishtina kishte luftuar poashtu shumë për të kaluar fazën e parë ndaj Legias nga Polonia, ku ndeshjen e parë e kishte humbur ngushtë në kryeqytet 79-81 e në Varshavë ishte mposhtur pas dy palë vazhdimeve 85-83 dhe ishte eliminuar.

Histori më të suksesshme, Prishtina ka në garën tjetër evropiane, FIBA Europe Cup, atje ku ka garuar që nga themelimi i saj në vitin 2015, për pesë edicione rresht: 2015-16, 2016-17, 2017-2018, 2018-19, 2019-20.

Suksesin më të madh në këtë garë, prishtinasit e kanë në stinorin 2018/19, kur kishin arritur që me fitore 82-78 në duelin e fundit të grupit ndaj ekipit të madh nga Turqia, Pinar Karsiyaka të kualifikohen në top-16 ekipet më të mira të edicionit. 2018-19.

Në raundin e parë të top-16 ekipeve më të mira në FEC, Prishtina ishte eliminuar nga ekipi i madh italian, Varese në dy ndeshjet, në Prishtinë ngushtë 77-80 e në Itali 100-84, ku përkundër humbjeve, kishte bërë edicionin më të suksesshëm në gara të tilla ndërkombëtare.

/AsistiOnline.com/

 

 

Komentet janë të mbyllura.