Ish-lojtari i Trepçës, Igor Miliçiq e kualifikon Poloninë pas 51 viteve në gjysmëfinale të një Evropiani
Prishtinë(AsistiOnline) – Kombëtarja e Polonisë sonte shkaktoi senzacion basketbollistik, duke e befasuar në çerekfinale Kampionen Evropiane, Slloveninë.
Përpos që e eliminuan një skuadër shumë të fortë, polakët sonte e rikthyen shtetin e tyre në gjysmëfinale të një Eurobasketi pas plotë 51 vitesh,
Edhe pse në fillim të Evropianit, shumëpak kush e kishte llogaritur Poloninë e drejtuar nga ish-basketbollisti i Trepçës si Kombëtare të denjë, kjo e fundit ndeshje pas ndeshje e dëshmoi të kundërtën dhe sot ja ku jemi, ajo theu çdo pritshmëri, duke rikthyer krenarinë e munguar prej vitesh te polakët.
Miliçiq e mori drejtimin e Polonisë në vitin 2021 dhe për kohë relativisht të shkurtër ka arritur të shtrijë ndikimin e vet në këtë Kombëtare, madje me këtë sukses të arritur sonte, Polonia veçse e ka përmbushur misionin e vet e tash çfarëdo suksesi shtesë, është i mirëseardhur.
Të kujtojmë se Miliçiq e kishte pasur një periudhë shumë të suksesshme si lojtar edhe në Kosovë, më konkretisht tek Trepça e Mitrovicës gjatë stinorit 2004/05 dhe që nga atëherë ka mbetur në zemrat e tifozëve mitrovicas.
Të kujtojmë se Miliçiq është 46 vjeçar i lindur në Slavonski Brod të Kroacisë dhe gëzon dy nënshtetësi, atë kroate dhe atë polake. Karrierën si lojtar, ai e kishte mbyllur në vitin 2013 në ekipin nga elita polake, Koszalin e punën si trajner e kishte filluar në vitin 2014, po në ekipin ku e kishte mbyllur si lojtar.
/AsistiOnline.com/
Lexo edhe:
POLONIA SHOKON KAMPIONEN AKTUALE, KUALIFIKOHET NË GJYSMËFINALE TË EUROBASKET 2022
Komentet janë të mbyllura.