Basketboll

Superliga vazhdon edhe në vikend, klubet të befasuara me vendimin

Prishtinë(AsistiOnline) – Përkundër se kjo javë ishte paralajmëruar pushim për basketbollin kosovar, megjithatë plani ka ndryshuar papritmas dhe kjo nuk do të ndodhë.

Gjatë këtyre ditëve, kombëtaret evropiane dhe ato botërore do të zhvillojnë ndeshje kualifikuese për Botëror dhe Eurobasket e pothuajse të gjitha ligat kombëtare dhe ndërkombëtare do të pauzojnë.

Por, kështu nuk do të ndodhë edhe me garat kosovare, për të cilat fillimisht FBK-ja kishte marrë vendimi që të pauzohet, por duket se në moment ai është ndryshuar, megjithatë shumica e klubeve janë shprehur të befasuara se pse është ndryshuar.

Ndihmës-trajneri i Sigal Prishtinës, Andin Rashica i ftuar në ASIST-in 508, ka thënë se për këtë vendim të ndryshuar e morën vesh pak çaste më parë e kjo natyrisht se i zuri në befasi.

Jo me tregu të drejten s’kemi pasur njohuri se liga do të vazhdojë edhe këtë vikend, ne veçse jemi përgatitur, që këtë javë që po vjen mos të luajmë, mirëpo vendimet janë vendime dhe duhet respektohen. Të shohim se si do të ndikojë kjo, pasiqë shumica prej neve kemi bërë disa plane për pushime, poashtu janë bërë plane për stërvitje, poashtu palestra është e zënë dhe ato ditë i kemi menduar pushim, por tash duhet ti ndryshojmë”, tha ai.

I befasuar dhe i shqetësuar me vendimin, në ASIST është shprehur edhe ndihmës-trajneri i Bashkimit, Elbesar Gështenja, ai ka thënë se këto ndryshime të planifikuara gabimisht, ndikojnë keq, tek çdo skuadër.

Po apsolut që ndryshimi i orarit në moment, ndikon keq pasi ne nuk bëjmë plane, sot për sot, poashtu nganjëherë po kemi probleme edhe me sallat sportive, ne nuk kemi pasur informatë që liga do të vazhdojë, por do të shtyhet, njësoj edhe unë e kuptova pak më herët dhe jemi te çuditur për një vendim të tillë”, tha Gështenja.

Pak më i paralajmëruar në këtë aspekt, duket se ka qenë ndihmës-trajneri i Trepçës, Brahim Veseli, pasi Trepça e ka pasur të qartë ditë më parë, mungesën e trajnerit Joncevski.

Po qysh e përmendën edhe bashkëfolësit e mi, ne kemi bërë plane tjera edhe pse mungesën e trajnerit e kemi ditë që s’do të jetë. Mirëpo me vazhdimin e garave tash ndryshon gjithçka, ka me qenë më e vështirë, por do jemi në kontakt me trajnerin dhe të përgatitemi për ndeshjen me Rahovecin”, u shpreh Veseli.

Ndryshimet e orareve në basketbollin kosovar tashmë janë bërë të shpeshta, pasiqë ditë më parë edhe ndeshjet e Superkupës janë shtyer për herë të tretë me radhë, ku ishte dashur që të zhvillohen gjatë kësaj jave, mirëpo janë shtyer për shkak të angazhimeve të trajnerëve, nga radhët e Trepçës, Joncevskit me Maqedoninë dhe Adis Beqiragiq me Bosnje & Hercegovinën.

/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.