Basketboll

REAGIM I SIGAL PRISHTINËS LIDHUR ME NDËRPRERJEN E NDESHJES

Sigal Prishtina: "Referi Artan Gashi shkakton moszhvillimin e ndeshjes, tallet me publikun, klubin dhe Policinë e Kosovës"

Pas moszhvillimit të ndeshjes dhe vendimit nga referët e ndeshjes që ajo të shtyhet për 24 orë, KB Sigal Prishtina ka dal me reagim publik në të cilin shkruan:

“Siç jeni në dijeni, ndeshja kampionale ndërmjet KB SIGAL Prishtina dhe KB Rahovec, u vendos të ndërprehet ende pa nisur arbitrarisht nga referi Artan Gashi, madje edhe pas ardhjes së forcave të shumta policore. Sipas tij, Klubi jonë është dashur ta sigurojë pjesëmarrjen e Policise në sallë, gjë që klubi jonë e ka bërë.

Policia e Kosovës (PK) kanë qenë në sallë, ndërsa duke mos i mjaftuar prezenca e zyrtarevë policorë, delegati kërkoi që të shtohet prezenca e tyre, edhe pse fillimisht deklaroi se ata që ishin aty mjaftonin.

Me kërkesë të tyre, PK sjelli fillimisht edhe zyrtarë të tjerë, ku referit Artan Gashi nuk i mjaftuan as ata, dhe vendosi që të mos e nisë ndeshjen pikërisht në momentin kur në sallë erdhën edhe Njësia e Reagimit të Shpejtë të Policisë së Kosovës, dhe tha që të presin e mos të zbrazet salla.

KB SIGAL Prishtina i kërkon falje të gjithë tifozëve që ishin prezentë në sallë ku për shkak të vendimit tendencioz dhe inatçorr të referit Artan Gashi nuk u zhvillua ndeshja, përkundër faktit që të gjitha kërkesat u plotësuan.

Me këtë ndërprerje krejtësisht të panevojshme u prish imazhi i një ngjarjeje sportive për të cilën shikuesit ishin mbledhë në sallën. As përmbushja e kërkesave e as lutjet tona drejtuar referit në fjalë nuk e bënë ta ndryshojë mendjen për hir të basketbollit dhe dashamirëve të këtij sporti.

Bordi jonë dhe Këshilli Organizues është duke e konsideruar seriozisht moszhvillimin e kësaj ndeshjeje dhe mosorganizimin e Superkupës së Kosovës, në rast të delegimit të këtij imazhprishësi inatçorr në ndeshjet e KB Sigal Prishtina.

Të tillët nuk i duhen as palestrave e as basketbollit, duke marrë vendime të ngutshme e të gabueshme për shkak të tekeve e inateve personale. Faleminderit! ” shkruan në reagimin e Sigal Prishtinës.

Ndeshja e xhiros 13 ndërmjet të Sigal Prishtinës dhe Rahovecit është vebdosur të luhet të hënën me 5 Dhjetor nga ora 19:00.

 

Komentet janë të mbyllura.