Mendimi i Mujës se si duhet të ndalet dhuna në basketbollin e Kosovës
Prishtinë(AsistiOnline) – Njëri prej basketbollistëve më të mirë shqiptarë në vitet e pasluftës e këtej, tash trajner me shumë perspektivë, Muhammed Thaçi ka qenë i ftuar në ASIST-in 515.
Duke folur për gjendjen e basketbollit kosovar, Muja foli edhe rreth problemeve që po ndodhin nëpër palestrat kosovare dhe propozoi edhe zgjidhje rreth këtyre problemeve.
”E dini qe jam në basketbollin e Kosovës prej vitit 2001, gjithmonë ka pasur këso probleme dhe fatkeqësisht ne nuk e kemi ndërruar mentalitetin, apo nuk jemi rritur. Ndodhin këto gjëra se shumica e atyre që ndoshta edhe e shikojnë basketbollin, nuk i marrin vesh rregullat. Dhe gjithmonë është reagimi ndaj një lëvizje të lojtarit i cili ka drejtë me festu, kur e jep kosh apo kur e bën një lëvizje të mirë apo edhe kur e fiton lojën, është e drejtë profesionale. Por, fatkeqësisht te shikuesit tanë nuk ka njerëz të shumtë të cilët mund ta kuptojnë këtë dhe mund ti japin të drejtë atij të festojë apo të gëzohet dhe një gjë tjetër që ndoshta edhe do të duhet klubet më shumë të ulen dhe të bisedojnë me njerëzit që i kanë në palestra, duke filluar nga ata ultrasit të cilët i kanë gjitha ekipet. Edhe pse besoj që ka borde të klubeve që i kanë ulur edhe shikuesit edhe krejt, por është një masë e madhe e cila nuk mund të kontrollohet. Ndoshta duhet të kopjohet, ndonjë shtet tjetër rreth neve të cilët me biletë me barkod, me biletë me emër, me dënime shumë më të mëdhaja me huliganizëm, duhet të merret ndoshta edhe shteti me këtë punë, duke e ditur se po i shkakton dëm klubit, po i shkakton dëm lojtarëve, po i shkakton dëm federatës dhe fundi i fundit, një person i pandërgjegjshëm mund ta shkatërrojë një lojë, për të cilën kanë ardhur ndoshta 3500 veta për me pa, me u gëzu me familje. Me të vërtetë është fatkeqësi se kam ndëgjuar nëpër Rahovec, qytetarët nuk kanë dashur me ardhë me gra, me vajzat e tyre, me fëmijët e tyre, duke e pa këtë dhunë dhe duke ditur që ju trishtohen fëmijët dhe ju bëhen me trauma. Mendoj se të gjithë duhet bërë së bashku e ta gjejmë një zgjidhje. Unë nuk e di, cila është zgjidhja, mirëpo të ulen së bashku: lojtarë, federatë, kryetarë, sponzora, fansa, të ulen bashkë dhe ta gjejnë një mënyrë për tu larguar nga kjo”, mbylli këtë deklarim Muja.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.