Derbi prizrenas i portokalltë, Bashkimi vazhdon ngritjen e madhe
Prishtinë(AsistiOnline) – Bashkimi e ka fituar derbin lokal prizrenas ndaj Pontes në kuadër të xhiros së 17-të në elitën e basketbollit kosovar.
Portokallinjët triumfuan ndaj bardhezinjët me epërsi dyshifrore dhe lojë tejet ekipore 82-71.
Ponte Prizreni e nisi më mirë këtë ndeshje duke e fituar çerekun e parë 20-26, por Bashkimi reagoi deri diku në të dytin, por jo mjaftueshëm (23-18), ndërsa ekipi i Pontes mbylli pjesën e parë në avantazh minimal (43-44).
Në pjesën e dytë, Bashkimi lojë fantastike sidomos në çerekun e tretë (19-10) dhe nisi periodën finale me + prej 8 pikëve e pastaj vetëm e administroi mirë rezultatin (20-17) dhe korri fitoren e dytë sezonale ndaj rivalit lokal dhe të tretën rresht në gjithë sezonin e elitës.
Fisnik Rugova ishte fantastik sonte te Bashkimi me 19 pikë e 6 kërcime, gjersa u ndihmua fuqishëm edhe nga Curtis Jones me 16 pikë, si dhe Fahro Alihodzic që kishte 12 e Dajuan Graf 11 sosh. Pa e harruar edhe kontributin e madh të të zakonshmit Daniel Lekndreaj që ishte fantastik me kërcimet në sulm e mbrojtje.
Te Ponte Prizreni, Dachon Burke kishte 20 pikë e Wayne Arnold shtoi 14 sosh.
Duket se ‘dora’ e trajnerit lituanez, Audrius Prakuraitis te Bashkimi tashmë ka filluar të funksionojë, pasi skuadra po tregon lojë tejet të bukur dhe gjithçka po shkon mirë në tri duelet e fundit.
Bashkimi tash ka 7 fitore e 10 humbje dhe haptazi tregon se do të jetë ‘arrë’ e fortë për secilin ekip dhe sivjet ka synim të sjellë ndonjë trofe në qytetin e Prizrenit, e Ponte pësoi edhe disfatën e 10-të karshi 6 fitoreve, por ka edhe -1 ndeshje.
Në xhiron e ardhshme, Bashkimi e pret Rahovecin e Ponte Prizreni e pret Golden Eagle Yllin.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.