Basketboll

DILEMA HAMLETIANE VAZHDON: PEJA APO TREPÇA, KUSH DUHET TË JETË VENDASE E NDESHJES SË PARË?

Klubet dhe opinioni publik nuk kanë faj për konfuzionin e krijuar por paragrafet kundërthënëse të nenit të njëjt 9.2.1 të Propozicioneve të Garave 2022/23 të FBK.

Vetëm 24 orë pasi ka publikuar orarin e finaleve në bazë të vendimit të Komisionit të Garave të FBK ku Pejës i jepet përparësia e fushës vendase, komisari i garave Faton Kurshumlia ka dërguar një tjetër orar bazuar në ankesën e KB Trepçës në Komisionin Arbitrar i cili ka vendos se : Trepça e ka përparësinë e fushës vendase.

Të Hënën pasdite nga Komisari i Garave të FBK-së pas vendimit tëe Komisionit të Garave është dërguar orari i ndeshjeve finale ku përcaktohet se Peja është nikoqire e ndeshjeve 1,3 dhe të pestë eventuale. Ky është teksti :

Ju lutem gjeni me poshte orarin-terminet e ndeshjeve finale Princ Caffe Superliga:

03.05.2023 PEJE              E merkure ora  20:00,   Peja vs Trepça

07.05.2023 MITROVICE    E diel ora  17:00,          Trepça vs Peja

11.05.2023 PEJE              E enjte  ora 20:00,        Peja vs Trepça  

14.05.2023 MITROVICE    E diel ora 17:00 ,          FINALJA  IV  EVENTUALE

18.05.2023 PEJE              E enjte ora 20:00 ,       FINALJA  V  EVENTUALE

Ndërkohë, të Martën në mëngjes nga Komisari i Garave të FBK-së erdhi emaili me ndryshime pas vendimit të Komisionit Arbitrar dhe orari i ndeshjeve finale ku përcaktohet se tash, Trepça është nikoqire e ndeshjeve 1,3 dhe të pestë eventuale. Ky është teksti :

Te nderuar,

Ju lutem gjeni orarin – terminet e ndeshjeve finale te Princ Caffe Superliga,pas vendimit nga Komisioni i Arbitrazhit.

03.05.2023 MITROVICE     E merkure ora  20:00,   Peja vs Trepça

07.05.2023 PEJE               E diel ora  17:00,          Trepça vs Peja

11.05.2023 MITROVICE     E enjte  ora 20:00,        Peja vs Trepça  

14.05.2023 PEJE               E diel ora 17:00 ,          FINALJA  IV  EVENTUALE

18.05.2023 MITROVICE     E enjte ora 20:00 ,       FINALJA  V  EVENTUALE

 

PSE PO NDODH QË FBK BRENDA 24 ORËVE TË NDRYSHOJ VENDIMET E VETA?

Mos saktësimi dhe paqartësia e neneve te Propozicionet e Garave për Kategoritë Seniore për Edicionin 2022-23 të Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) për herë të dytë gjatë kësaj pranvere ka shkaktuar huti, konfuzion dhe irritim te klubet dhe opinioni publik.

Herën e parë në publik janë shkaktuar shumë debate e mospajtime dhe te klubet shumë pakënaqësi blidhur me “Rastin Memdi” kurse tash në pyetje është dilema se kush e ka epërsinë e fushës vendase në finale, pasi Trepça si e katërta pas përfundimit të pjesës së rregullt të kampionatit e ka eliminuar Sigal Prishtinën e cila ishte e para .

Janë dy paragrafe të njëjtit nen 9.2.1 Superliga e Meshkujve të cilat bien ndesh njëra me tjetrën dhe kanë krijuar konfuzion madje edhe debate të mëdha lidhur me atë se kush e ka epërsinë e fushës vendase në finalen e Play Offit të Prince Caffe Superligës

Neni  9.2.1 Superliga e Meshkujve i Propozicioneve të Garave për Kategoritë Seniore për Edicionin 2022-23 i FBK thotë kështu:

Gjysmëfinalet e play-offit zhvillohen sipas formulës 1 vs 4-5, 2 vs 3-6.  Plasmanin në finale e siguron ekipi që i pari arrin tri (3) fitore.Gjysmëfinalet zhvillohen sipas formatit vajtje – ardhje dhe epërsinë e terrenit vendës e ka ekipi më lartë i plasuar në edicionin e rregullt. Në rast të eliminimit të ekipit më lartë të plasuar, skuadra më poshtë e plasuar zë vendin e asaj skuadre.

Në finale të play-offit takohen ekipet fituese të gjysmëfinaleve.  Kampion i Superligës shpallet ekipi që i pari arrin tri (3) fitore. Finalja e play-offit zhvillohet sipas formatit vajtje – ardhje. Përparësinë e terrenit vendës e ka ekipi që ka qenë më mirë i ranguar në edicionin e rregullt dhe luan si vendas në ndeshjet 1 dhe 3 dhe ndeshjen eventuale 5. Ndeshjet e play off-it do të zhvillohen të mërkurën/enjten dhe shtunë/diel në vazhdimësi pa ndërprerje nëse nuk vjen deri te zhvillimi i ndeshjes së fundit konform PG.

Ec e bjeri në fije tash!?

Pyetja që i shtrohet FBK-së tash është: sivjet sipas Propozicioneve të Garave a e ka epërsinë e fushës vendase skuadra e cila

  1. Në rast të eliminimit të ekipit më lartë të plasuar, skuadra më poshtë e plasuar zë vendin e asaj skuadre                  APO 

2. Përparësinë e terrenit vendës e ka ekipi që ka qenë më mirë i ranguar në edicionin e rregullt dhe luan si vendas në ndeshjet 1 dhe 3 dhe ndeshjen eventuale 5.

A është paragrafi i parë apo i dyti ai i cili e sqaron këtë dilemë?

Këtu po krijohet hutia dhe në të dyja rastet , qoftë Trepça apo Peja kanë të drejtë që po insistojnë se kanë të drejtë në përparësi të fushës vendase.

Në rastin e parë, Trepça në bazë të asaj që shkruhet në PG , e ka mposhtur Sigal Prishtinën që është më lartë e renditur dhe e zë vendin e saj, që do të thotë se e fiton pozitën e parë startuese dhe përparësinë e fushës vendase. Nëse është kështu, del se Trepça duhet të jetë vendase në ndeshjet 1, 3 dhe eventuale të pestë.

Mirëpo dilema dhe paqartësia është krijuar me mos saktësimin dhe definimin e nenit se: ku e zënë vendin e saj, në cilën fazë të garave? – Në këtë paragraf është lënë i mangët dhe i paqartësuar neni 9.2.1 nëse skuadra më poshtë e ranguar në rast të fitores në gjysmëfinale ndaj skuadrës më lartë të renditur e zë vendin e saj dhe fiton përparësinë e fushës vendase në FINALE.

Gabim i cili tash lë që kjo të nënkuptohet kurse dokumentet zyrtare dhe aktet ligjore nuk guxojnë të lënë që gjërat të nënkuptohen dhe duhet të saktësohen 100% sepse sipas paragrafit të dytë: Peja është ajo që e ka të drejtën e fushës vendase pasi që ai nen ka të bëjë me FINALEN.

Sipas paragrafit të dytë të këtij neni të njëjtë ku thuhet se Përparësinë e terrenit vendës e ka ekipi që ka qenë më mirë i ranguar në edicionin e rregullt dhe luan si vendas në ndeshjet 1 dhe 3 dhe ndeshjen eventuale 5, Peja e ka përparësinë e fushës vendase.

Ky është edhe një lëshim dhe jo seriozitet i cili po shkakton huti, konfuzion dhe frustrime të panevojshme në opinionin publik dhe te klubet.

Këto gjëra duhet të saktësohen dhe qartësohen në fillim të edicionit dhe në prag të Play Offit të publikohet zyrtarisht me shpjegime të sakta, precize dhe të cilat nuk lënë asnjë dilemë të vetme dhe hapësirë për keqinterpretime.

Aktualisht për klube dhe opinion mbetet zyrtar orari i dërguar nga Komisari i FBK-së bazuar në vendimin e Komisionit të Arbitrazhit (sot, e Martë 02.05.2023) ku Trepça është nikoqire e ndeshjeve 1,3 dhe eventuale të pestë kurse Peja është vendase në ndeshjet 2 dhe eventuale të katërt.

Nga burime të afërta me KB Pejë, AsistiOnline mëson se ka pakënaqësi dhe do të ketë ankesë lidhur me këtë vendim. Mbetet të shihet nëse Peja do ta apeloj zyrtarisht dhe të kërkoj mendimin e Komisionit Arbitrar të KOK-ut apo do të mbetet në fuqi ky orar.

Pas gjithë kësaj sage dhe parodie, një gjë që është e qartë se asgjë nuk është e qartësuar si duhet!?

Krejt në fund, me rëndësi është që kjo seri finale e këtij edicioni interesant dhe me shikueshmërinë më të lartë në 15 vitet e fundit të përfundoj me sukses dhe të mos ketë probleme që do t’i qitnin hije të keqe serisë finale, për çka të dyja klubet dhe qe besa edhe FBK duhet të kujdesen maksimalisht dhe më pas, menjëherë me të përfunduar edicioni 2022/23 FBK duhet të ulet dhe të merret shumë serizoisht dhe me kujdes maksimal me përmirësimin, plotësim/saktësimin e të gjitha akteve të veta normative,  Rregulloreve dhe Propozicioneve të Garave për edicionin e ardhshëm 2023/24 duke mos e lënë as hapësirën më të vogël për  huti, konfuzione, pakënaqësi e frustrime.

Aktualisht, aktet normative me lëshime dhe të pasaktësuara si duhet nga ana e FBK-së, po i irritojnë klubet, opinionin publik dhe në fund po i nxjerrin probleme vet FBK-së e cila po duhet të shpenzoj energji koti për shkak të pakujdesit dhe lirisht mund të themi paaftësisë që gjatë hartimit dhe determinimit të akteve normative t’i saktësoj gjërat më të thjeshta të mundura dhe tash të gjithë duhet të “rrehin ujin në havan” dhe të debatojnë për gjëra koti vetëm pse dikush i cili merr rrogë dhe e ka punë të kujdeset që këto gjëra të jenë ” në vijë” i neglizhon dhe në fund krijohet përshtypja e keqe në opinion.

Këtu faji e ka adresën, ekzekutivi i FBK-së kurse klubeve dhe opinonit tash ju mbetet “të hahen mes vete”: jo Trepça, jo Peja e ka përparësinë e fushës vendase.

Dilema hamletiane vazhdon “Peja apo Trepça kush duhet të jetë vendase e ndeshjes së parë?”

 

Komentet janë të mbyllura.