Basketboll

White hero i Bostonit, barazohet seria e pabesueshme me Miamin

Prishtinë(AsistiOnline) – Me super-dramë është mbyllur ndeshja e gjashtë e serisë finale në Konferencën Lindore të NBA-së.

0.02 sekonda para fundit të ndeshjes, Derrick White u gjend fare pranë koshit për të dërguar topin në kosh për t’i dhënë fitoren e madhe skuadrës së Celtics.

Ishte pikërisht skuadra e Celtics, ajo që e nisi duelin më mirë, duke fituar çerekun e parë (29-34), derisa i dyti i takoi minimalisht Miamit (24-23) me ç’rast Bostoni shkoi në pushim mes pjesëve me 4 pikë dallim (53-57).

Në pjesën e dytë, Bostoni u tregua pak më i mirë në çerekun e tretë (19-22), derisa në periodën e fundit dhe vendimtare dominoi Miami (31-25), por jo mjaftueshëm sa për fitoren e madhe dhe në fund Bostoni i’u gëzua fitores.

Jayson Tatum me double-double prej 31 pikëve e 12 kërcimeve, por edhe 5 asisteve, ishte më i dalluari te Bostoni, gjersa u ndihmua edhe nga Jaylen Brown poashtu me double-double prej 26 pikëve e 10 kërcimeve. Ndërsa, Derrick White që e fitoi ndeshjen, kishte 11 pikë, 4 kërcime e 6 asiste.

Te Miami s’mjaftuan për fitore, Jimmy Butler me 24 pikë, 11 kërcime, 8 asiste e as Caleb Martin me 21 pikë e 15 kërcime.

Pas 6 ndeshjeve, seria mes Bostonit dhe Miamit barazohet në 3-3, derisa dueli i fundit dhe përcaktues i kësaj serie, luhet me 30 maj në TD Garden të Bostonit nga ora 02:30.

Të kujtojmë se finalisti i parë i NBA-së, për këtë edicion është Denver Nuggets.

/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.