Basketboll

FIBA e dënon përjetësisht gjyqtarin Daut Mehmeti

Prishtinë(AsistiOnline) – Institucioni më i lartë i basketbollit në botë, FIBA e ka përjashtuar përgjithmonë nga rrethi i saj, referin kosovar Daut Mehmeti.

Nëpërmjet një njoftimi zyrtar, FIBA ka njoftuar marrjen e masave ndëshkuese ndaj Mehmetit, për siç thuhet, thyerjen e Kodit të Etikës dhe Integritetit, Baste dhe Manipulimi i Garave dhe në kohëzgjatjen e dënimit përmendet periudha se ky dënim vlen gjatë gjithë jetës, transmeton AsistiOnline.com

Sipas faqes zyrtare të FIBA-s, sanksioni tashmë është vendosur ndaj zyrtarit në fjalë dhe hyn në fuqi menjëherë pas botimit në sajtin zyrtar.

Të kujtojmë se në vitet e fundit një numër jo i vogël i lojtarëve dhe zyrtarëve nën-petkun e FIBA-s, janë ndëshkuar me masa të tilla, sikurse ky ndaj Mehmetit, për me arsyetimin e thyerjes së kodeve të etikës dhe integritetit të miratuara nga FIBA.

Lidhur me rastin, AsistiOnline.com ka kontaktuar edhe me referin, Daut Mehmeti, i cili i ka mohuar kategorikisht akuzat, madje ka paralajmëruar edhe hapa ligjorë lidhur me këtë vendim.

Po e kam pranuar në adresën elektronike një njoftim të tillë nga FIBA, i cili t’ju them të drejtën është shumë qesharak, por edhe tendencioz. Pasiqë të gjitha janë shpifje, këto gjëra janë bërë vetëm e vetëm që të dëmtohet reputacioni im si një prej referëve më të mirë në histori të basketbollit kosovar. Këto shpifje dhe trillime do ti ndjeki edhe nëpër rrugët ligjore dhe vendimin e FIBA-s natyrisht që do ta apeloj, deri sa të merret një vendim meritor e jo i bazuar në shpifje dhe trillime pa fakte dhe totalisht i shtyer për qëllime të ulëta nga qarqe të caktuara“, është shprehur Mehmeti për AsistiOnline.com

Vetëm pak muaj më parë, FIBA ka dënuar edhe fundorin 30-vjeçar të skuadrës sllovake, Iskra Svit, serbin Sasha Avramoviq, për të njëjtën arsye për të cilën është dënuar edhe Daut Mehmeti.

Të kujtojmë se Mehmeti ka pasur edhe thirrje zyrtare të FIBA-s për të gjykuar edhe ndeshje ndërkombëtare, derisa njihet si një prej referëve më perspektivë të pasluftës në vendin tonë.

/AsistiOnline.com/

 

Komentet janë të mbyllura.