Basketboll

Vjen reagimi i referit Mehmeti, kundërshton ashpër pretendimet dhe vendimin ndaj tij

Prishtinë(AsistiOnline) – Gjyqtari i basketbollit kosovar, Daut Mehmeti është tronditur nga vendimi i FIBA-s, për ta suspenduar atë nga referimi.

Pas marrjes së këtij vendimi, Mehmeti në një prononcim ekskluziv për AsistiOnline.com i ka mohuar kategorikisht këto akuza dhe ka paralajmëruar se do ti kundërshtojë edhe me hapa ligjorë.

“Po, e kam pranuar në adresën time elektronike një njoftim të tillë nga FIBA, i cili t’iu them të drejtën është i pabazë dhe tendencioz. Ato të cilat i konsiderojnë “fakte” ata që e kanë marrë këtë vendim, nuk janë aspak të vërteta, pasi nuk ka asnjë dëshmi ku unë kinse paskam luajtur bastore apo paskam pasur llogari në ndonjë bastore. Një gjë e tillë është e verifikuar dhe të gjitha janë të dokumentuara”, tha fillimisht ai.

Tutje, Mehmeti ka folur për rrjedhën e hetimeve në këtë rast, duke hedhur dyshime të mëdha se si janë zhvilluar ato dhe aludoi se gjithçka ndaj tij është e montuar.

“Më e rëndësishmja është se si kanë filluar hetimet. Së pari jam ftuar në zyret e Federatës, pa qenë i informuar se do të ketë një hetim. Mirëpo, ndodhi një intervistim ku së pari i pyes a jam i dyshuar për ndonjë gjë, për çka ata më përgjigjen se nuk jam i dyshuar, por se në ndeshjet që kam gjykuar, ato ndeshje janë të dyshimta. Gjatë intervistimit, pa lejen e prokurorisë më është bërë forenzika e telefonit, me pretendimin për të parë nëse kam llogari në ndonjë bastore. Para se ta dorëzoj telefonin, në një mënyrë jam kërcënuar se po nuk e dorëzova, do të shkel Kodin dhe do të kem dënim. Për atë se e konsideroj vetën të pastër, ua kam ofruar telefonin për verifikim të llogarisë, e jo për të ma bërë forenzikën. Pra, shihen qartë pretendimet për ta montuar këtë rast ndaj meje”, shprehet ai për AsistiOnline.com

“Gjatë gjithë kohës kam bashkëpunuar me FIBA-n. Ju kam dërguar të gjitha llogaritë bankare, të gjitha transaksionet që kanë kërkuar, ku edhe aty është verifikuar se nuk ka asnjë hyrje apo dalje nga ndonjë bast, apo çfaredo tjetër të llojit të tillë, asgjë e dyshimtë. Se si ka filluar procesi dhe deri te mbyllja, unë kam shumë dëshmi të cilat do t’i publikoj, përfshirë “faktet” e tyre të cilat pretendojnë se i kanë gjetur, e që nuk përkojnë aspak me mua”.

Krejt në fund, Mehmeti pretendon se iu është cenuar e drejta e privatësisë së tij dhe se për këtë do të ndërmarrë hapa ligjorë.

Konsideroj se më është cënuar e drejta ime, se kanë shkelur edhe në privatësinë time dhe natyrisht se për këtë dhe gjitha shpifjet e trillimet ndaj meje, do ti ndjek hapat ligjorë”, përfundoi deklarimin Mehmeti.

/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.