Basketboll

Detaje rreth kundërshtarit të Pejës, 7 herë rresht kampion në fuqi i Danimarkës…

Prishtinë(AsistiOnline) – Skuadra e Pejës sot e mësoi kundërshtarin e saj në kualifikimet për Ligën e Kampionëve.

Verdhezinjët do të përballen me klubin nga Danimarka, Bakken Bears që në vitet e fundit e ka dominuar egër basketbollin e atjeshëm, shkruan AsistiOnline.com

Ky klub i formuar para 69 viteve dhe me bazë në qytetin e Aarhus, është më i trofeshmi në basketbollin danez me plotë 20 tituj kampioni dhe 12 kupa të Danimarkës.

Përpos garave vendore në vitet e fundit, klubi është pjesëmarrës i rregullt në garat evropiane, gjersa janë tre herë gjysmëfinalistë të FIBA Europe Cup.

Në edicionin e fundit, Bakken Bears u paraqitën në Ligën e Kampionëve, duke filluar nga faza e dytë e kaulifikimeve dhe fillimisht eliminuan ekipin austriak Gmunden me rezultat të thellë 83-65, derisa kaluan edhe fazën e tretë dhe finale të kualifikimeve, duke e mposhtur FMP-në nga Serbia 88-82 dhe kështu arritën të luajnë deri në fazën e grupeve.

Në fazën grupore të Ligës së Kampionëve, Bakken Bears arriti vetëm 1 fitore dhe pësoi 5 disfata, por duhet cekur se përballë kishte kundërshtarë të fortë si: Darussafaka (Turqi), Ludwigsburgu (Gjermani) e Hapoel Jerusalemi (Izrael). Nga 6 ndeshjet, Bakken Bears, triumfoi në një prej tyre duke e mposhtur Darussafakën 68-66 dhe kësisoj u eliminua nga gara.

Mbetet të shihet se cilat janë synimet e klubit danez sivjet, mirëpo një gjë mund të dihet nga tash se Pejën e pret punë tejet e vështirë ndaj tyre. /AsistiOnline.com/

 

Komentet janë të mbyllura.